Është zhvilluar mesditën e sotme mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Berat,i dalë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit. Nga kjo mbledhje u bë kostituimi i Këshillit si dhe mandatimi i Ervin Demos në krye të Bashkisë së Beratit. Mbledhja nisi me zgjedhjen e komisionit të mandateve, komisioni lexoi edhe përbërjen e Këshillit Bashkiak në këtë mandat 4-vjeçar si dhe më pas të gjithë këshilltarët u betuan. Këshilli vijoi me procedurën e zgjedhjes së drejtuesit të tij, ku me unanimitet të 31 votave të këshilltarëve u rizgjodh për të dytën herë radhazi në drejtim të Këshillit Bashkiak Ervin Ceca.
Kryetari i sapo zgjedhur i Këshillit Bashkiak, Ervin Ceca kaloi më pas procedurën e marrjes së detyrës si kryebashkiak Ervin Demos,ku fillimisht u lexua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm për vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut Demo si dhe u lexua teksti i betimit.
Pas betimit të Kryetarit të Bashkisë Berat Ervin Demo për mandatin qeverisës 2023–2027,Këshilli Bashkiak Berat vijoi me procedurën e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të Këshillit Bashkiak, post tē cilin e fitoi Endrina Tangu, e Partisë Socialiste, e cila fitoi me shumicë votash mes 2 kandidatëve të propozuar. Në ndjekje të procesit të kostituimit të Këshillit Bashkiak Berat, ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi dhe deputetë të Qarkut Berat.
Gjatë betimit të tij, kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, pasi ka falenderuar qytetarët për besimin që i dhanë për një tjetër drejtim 4-vjeçar në krye të bashkisë Berat, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave politike për të mirën e qytetarëve dhe në shërbim të tyre.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Shtrëngim duarsh në bashkinë e Memaliaj, Gjolek Guci i dorëzon detyrën kryebashkiakut të djathtë, Albert Malaj
G.MO//ReportTv.al