Rritja e kostove të ndërtimit është ngadalësuar ndjeshëm muajt e fundit, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT në Indeksin e Kushtimit në Ndërtim për Banesa.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2025 arriti 113,1, kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë 2025 është 1,0 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,4%.
Të dhënat e grafikut të INSTAT tregojnë se në gjysmën e dytë të 2024-s dhe në tremujorin e parë të 2025-s, rritja e kostove ka qenë minimale, në raport me gjysmën e dytë të 2022-t, kur kosto u shtuan me mbi 7% për shkak të shtrenjtimit të materialeve nga pasojat e luftës Rusi-Ukrainë.
Në kontrast, çmimet e apartamenteve janë rritur me shpëjtësi. Banka e Shqipërisë raportoi se çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë gjashtëmujorit të dytë 2024 periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.
Kostot e ndërtimit
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 5,2%, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” me 2,4%, “Kosto të tjera” me 2,0%, “Shpenzime transporti” me 1,7%, dhe “Shpenzime energjie” me 0,6%.
Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 1,1%.
Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi uljen më të lartë prej 2,2 %, pasuar nga grupet “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” përkatësisht me 0,8 % secila.
Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore: Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,4%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 1,7%, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 1,1%, “Shpenzime makinerie” me 0,6% dhe “Shpenzime transporti” me 0,2%.
Nga ana tjetër ulje ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,2%. Ulja më e madhe vërehet në grupet “Materiale elektrike dhe komunikimi” dhe “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” përkatësisht me 0,4% secila, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 0,1%./Monitor
Komente
