Lihet në detyrë Prokurori i Elbasanit Artur Ismajlukaj ndërsa do i përcillet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të dhënat mbi udhëtimet e tij me persona me precedentë për të hetuar mbi shkelje disiplinore.
Vendimi u dha sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i cili la në fuqi vendimin nr. 681, datë 07.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përbëhej nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë mori në shqyrtim ankimimin kundër vendimit të KPK që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj.
“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 681, datë 07.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj” thuhet në vendimin e shpallur sot
Gjatë seancës dëgjimore të 29 shkurtit 2024 Komisionerja Publike, Irena Nino kërkoi në KPA shkarkimin e prokurorit duke ngritur pretendimin se kontaktet e tij me persona të dënuar cënonin besimin e publikut te drejtësia.
Ndërkohë Ismajlukaj i përfaqësuar nga avokati këmbënguli se nuk provohej cënimi i besimit të publikut te drejtësia.
Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Ndërsa për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse.
Nga ana e tij Ismajluakaj deklaroi se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Subjekti i rivlerësimit mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.
Sipas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit emri i tij do referohet pranë organit kompetent ILD për të vlerësuar nëse ka shkaqe për hetim disiplinor nga ana e këtij organi
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.