Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi sot vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Avni Sejdi, duke e nxjerrë përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë.
Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, vendosën unanimisht lënien në fuqi të vendimit nr. 733 të të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte evidentuar probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale: mosjustifikim të pasurisë me burime të ligjshme, konflikt interesi, mangësi në arsyetim ligjor dhe në aspektin e njohurive ligjore, zvarritje të çështjeve nën gjykim dhe mosargumentim të vendimeve.
'Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 10/2024, datë 12.03.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Avni Sejdi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 733, datë 19.01.2024.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 733, datë 19.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Avni Sejdi’, thuhet në njoftim.
Avni Sejdi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmësgjyqtar në vitin 1996 dhe në 2000-in u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Në vitin 2007, Sejdi u transferua në Gjykatën e Pukës dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Komente
