Vetingu largon prokurorin e Beratit Tasim Puçi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi sot, 19 prill 2024 lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili shkarkoi nga detyra më 15 prill 2021.
Vendimi u mor në dhomë këshillimi të enjten më 18 prill në mënyrë unanime, nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtare Ina Rama, Mimoza Tasi e Sokol Çomo.
Puci u shkarkua nga KPK më 15 prill 2021, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Ndërkohë ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se ka treguar cilësi të pranueshme në punë.
Tasim Puci e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe punoi për rreth 15 vjet në Prokurorinë e Beratit.
Po sot trupi gjykues i KPA-së nuk pranoi të marrë në shqyrtim kërkesat e ndihmësit ligjor pranë Gjykatës Administrative Artor Ylli për rishikimin e vendimit nr. 31, datë 20.11.2019 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të regjistruara me nr. 2 – 4/ 2019 (JR), datë regjistrimi 10.01.2022, dhe nr. 143/ 2 prot., datë 14.02.2024.
Vendimi u mor nga trupi gjykues I përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Në 2 nëntor 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash shkarkimin e tij dhe ndërprejen e studimeve në Shkollën e Magjistraturës, pasi gjeti sjellje jo etike dhe mungesë integriteti që cënonin figurën e gjyqtarit.