Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë sot në fuqi vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkarkimin nga detyra më 22.07.2022, për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit Alfred Sali, duke e nxjerrë atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i pati vënë në dukje Salit probleme në kriterin e pasurisë, konkretisht prokurorit iu kalua barrë prove mbi mosdeklarimin e mbajtjes cash të një shumë prej 75 mijë eruosh që ai pretendonte se kishte fituar nga një kompani bastesh. KPK po ashtu vuri në dukje se Sali rezultoi me bilanc negativ sa i përket mundësisë për të dhënë një hua 58 mijë euro babait të tij me burim shumën e pretenduar të fituar nga bastet.
Alfred Sali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 46/2022, datë 19.10.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alfred Sali kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 555, datë 22.07.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 555, datë 22.07.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Alfred Sali.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e KPA-së.
Komente
