KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Shkodrës Luveda Dardha! Shkarkohet edhe prokurori i Tiranës Artan Lulaj

15 Tetor, 20:41| Përditesimi: 15 Tetor, 21:33

  • Share

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Shkodrës, Luveda Dardha.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të gjyqtares Dardha.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:  Lënien në fuqi të vendimit nr. 398, datë 11.06.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Luveda Dardha”, njoftoi sot KPA.

Më 11 qershor 2021, Komisioni vendosi me shumicë votash që të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Luveda Dardha për probleme në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin tërësor u konstatua se kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Luveda Dardha përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe u caktua për një periudhë stazhi në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2014 e deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Ndërkohë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi edhe vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Artan Lulaj.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA e kryesuar nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 497, datë 13.01.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Lulaj.  Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njoftoi sot KPA.

Më 13. 01. 2022 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të prokurorit të Tiranës, Artan Lulaj, pasi nuk arriti të kundërshtonte barrën e provës në dy kritere. Lulajt i ishin kërkuar shpjegime për pasurinë dhe po ashtu edhe në lidhje me hetimet e kryera prej tij për vrasjen e Marvin Mihalit. Artan Lulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Rrethit Tiranë në vitin 2015.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?