Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi dy shkarkime nga detyra, atë të gjyqtarëve Taulant Tafa dhe të Izabela Radovanit të vendosura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Vendimi për të lënë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Elbasan Taulant Tafa, u mor nga trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare.
‘Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 649, datë 24.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Taulant Tafa. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftimin e KPA.
Ndërkohë, KPA ka lënë në fuqi edhe shkarkimin e Izabela Radovanit, gjyqtares së Gjykatës së Shkodrës.
‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 34/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Izabela Radovani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 647, datë 14.04.2023.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 647, datë 14.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Izabela Radovani. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, më 14 prill 2023 shkarkoi nga detyra Gjyqtaren e Gjykatës së Shkodrës, Izabela Radovani. Radovani dha shpjegime për mospërputhjet në deklarimin e pasurive, mungesat financiare për krijimin e tyre, si dhe për transaksionet për një apartament, të kryera në emrin e saj. Izabela Radovani e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor si ndihmësgjyqtare në vitin 1996 dhe në vitin 2000 u emërua gjyqtare në Shkodër, ku dhe punoi prej më shumë se dy dekadash.
Komente
