KPA

Kronikë

KPA në një mendje me SPAK, rrëzon KPK-në, shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës Afrim Shehu

8 Maj, 16:24| Përditesimi: 8 Maj, 16:27

  • Share

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur unanimisht sot shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Afrim Shehu, i cili ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Veting-ut, më 15 maj 2024.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik dhe në vijim, gjatë zhvillimit të procesit në Kolegj, ishte SPAK që kërkoi shkarkimin nga detyra të Shehut për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.

Prokurori Klodian Braho që përfaqësoi drejtuesin e SPAK Altin Dumanin në këtë proces, deklaroi se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë barrën e provës për pasuritë e tij dhe nuk justifikon me burime të ligjshme krijimin e tyre.

Në vendimin e sotëm, trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla, kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Rezarta Schuetz anëtare, konkluduan se prokurori nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë, ndryshe nga sa kishte vlerësuar KPK-ja, duke e nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.   

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 41/2024, datë 21.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 762, datë 15.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Afrim Shehu. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 762, datë 15.05.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra subjektit të rivlerësimit Afrim Shehu”, thuhet në njoftimin e KPA-së.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Moni: 08/05/2025 17:02

    Nje hajdut dhe nje abuzuesh pronash me pak ky ne drejtsi pu pu pu pu pu ne cfar niveli ka ren shteti shqiptar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?