Kolegji i Posaçëm i Apelimit

Kronikë

KPA njihet me konkluzionet përfundimtare në çështjen e prokurorit Valentin Preçi

18 Shkurt, 21:49| Përditesimi: 18 Shkurt, 21:54

  • Share

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 19 shkurt me konkluzionet përfiundimtare në çështjen e prokurorit të Tiranës, Valentin Preçi. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u qëndroi shkaqeve të ankimit si dhe parashtroi qëndrimin për gjetjen lidhur me komunikime të prokurorit Preçi me Arben Frrokun, disa muaj para një udhëtimi që kanë kryer së bashku e më vonë me vëllain e tij Mark Frroku, si dhe kërkoi përfundimisht shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për probleme në të tre kriteret.

Prokurori Valentin Preçi nuk ishte i pranishëm në seancën e të martës. Konkluzionet dhe kërkimet e tij përfundimtare u paraqitën prej avokates Romina Zano, e cila i cilësoi të pabazuara argumentet e Dumanit dhe kërkoi lëninen në fuqi të konfirmimit të të mbrojturit prej saj.

Preçi u konfirmua në detyrë më 10 janar të vitit 2024 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që kreu procesin e rivlerësimit të tij. Bazuar në një rekomandim të ONM-së, ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Vlerësimi për pasurinë

Dumani konstatoi se prokurori Preçi gjendet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Konkluzionet lidhen me një apartament e një garazh në Tiranë; me shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të bashkëshortes; si dhe mbi pretendimet për mbulimin e disa shpenzimeve nga babai i kësaj të fundit, për shlyerjen e disa kësteve të një kredie.

Sipas Dumanit, subjekti nuk arriti të provojë plotësisht burimet që kanë shërbyer për apartamentin dhe garazhin në kryeqytet.

Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme lidhur me të ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga puna si kryeredaktore në një revistë, Dumani tha se me aktet e dorëzuara është vërtetuar punësimi i saj. Për rrjedhojë ai kërkoi që të konsiderohen në analizë të ardhurat nga ky punësim, sipas deklarimeve përkatëse vjetore.

Ndërkohë, ai theksoi se mbeten në nivel deklarativ pretendimet për financimin e disa kësteve të një kredie nga vjehrri i subjektit, si dhe për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve në SHBA. Dumani vërejti se subjekti fillimisht ka deklaruar se shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit janë mbuluar nga të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes. Ndërsa më vonë ka shpjeguar se janë mbuluar nga të afërm.

Sipas Dumanit, subjekti nuk ka bërë deklarime për shpenzimet e lindjes së fëmijëve në SHBA. Po ashtu, cilësoi si deklarative pretendimet për të ardhurat e bashkëshortes nga asistenca sociale.

Edhe të ardhurat e deklaruara si të përfituara në loto sportive në vitin 2010 konsiderohen prej Dumanit si të paprovuara. Ai argumentoi se si provë është dorëzuar vetëm një vërtetim nga shoqëria.

Prokurori Dumani deklaroi se subjekti nuk arriti të provojë dot pjesën më të madhe të të ardhurave për të cilat i është kaluar barra e provës, si dhe as nuk kundërshtoi dot pamundësinë financiare. Në përfundim, ai konkludoi se Preçi ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Avokatja Romina Zano parashtroi fillimisht një historik të aspektit profesional të subjektit në organin e prokurorisë dhe solli në vëmendje se është vlerësuar shumë mirë në vijimësi, si dhe se nuk ka marrë ndonjë masë disiplinore.

Ajo u shpreh se shkaqet e ankimit nuk argumentojnë në mënyrë të drejtë se cilët prej pretendimeve apo argumenteve të paraqitura prej subjektit, bien ndesh me gjendjen e akteve dhe konkluzionet e KPK. Sipas Zanos, këto rrethana e vendosin Preçin në vështirësi për të kuptuar në mënyrë të qartë këto shkaqe ankimi që të mund të japë argumente të plota për sqarimin e tyre, si dhe se bien ndesh me jurispudencën e Kolegjit.

Zano theksoi se janë provuar të ardhurat e bashkëshortes nga punësimi në një revistë. Lidhur me financimin e shpenzimeve për këstet e kredisë nga vjehrri subjektit, Zano tha se në pyetësorin standard ka sqaruar për Komisionin se babai i bashkëshortes ka mbuluar një pjesë të këtyre shpenzimeve. Preçi pretendon në konkluzione se deklarimi ka qenë i plotë duke evidentuar kohën e dhënies së vlerave, shumën e financiuar, burimin e krijimit e qëllimin. Sipas tij, është provuar deklarimi i këtij financimi sipas pyetësorit standard të KPK, si dhe është konfirmuar marrëdhënia nga vjehrri dhe burimet e ligjshme.

Zano paraqiti në mënyrë të detajuar të dhënat lidhur me shpenzimet e udhëtimit jashtë shtetit duke e cilësuar të drejtë rezultatin e KPK, të bazuar në dokumentet e dorëzuara si prova.

Në lidhje me shpenzimet mjekësore për lindjen e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u soll në vëmendje një kthim përgjigje prej organit kompetent në SHBA, që sipas subjektit konfirmon faktin se nuk ka asnjë shpenzim të deklarueshëm.

Avokatja Zano kërkoi rishikimin e të të ardhurave të përfituara nga bashkëshortja e subjektit në SHBA, duke petenduar se nëse do të konsideroheshin aktet e administruara, atëherë do të plotësoheshin kriteret për t’u konsideruar të ligjshme. Subjekti kërkon që të konsiderohet e ligjshme dhe shuma e fituar në loto sportive në vitin 2010, megjithëse vëren se nuk janë deklaruar si burim për ndonjë pasuri.

Në përfundim, Zano u shpreh se bilanci negativ në vlerë të vogël i konstatuar në periudhën e rivlerësimit, nuk mund të sjellë penalizim.

Figura dhe profesionalizmi

Dumani deklaroi se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe në kriterin e pastërtisë së figurës. Sipas tij, Prençi nuk ka plotësuar saktë formularin e deklarimit të figurës, lidhur me kontaktet me vëllezërit Mark dhe Arben Frroku, të hetuar për vepra të rënda kriminale dhe krim të organizuar. Nisur nga fakti se Prençi dhe Arben Frroku kanë pasur komunikime disa muaj para se të udhëtonin së bashku drejt Malit të Zi në qershor të 2012-ës, si dhe ka udhëtuar pak kohë më vonë me Mark Frrokun drejt Kosovës, Dumani vlerëson se këto udhëtime duken jo të rastësishme.

Sipas Dumanit, prokurori Preçi duhej të kishte bërë deklarim të detajuar për figurën, që të bënte të mundur verifikimin dhe arritjen në konkluzion nëse kishte të bënte ose jo me kontakte të papërshtatshme.

Dumani kërkoi që sjellja e subjektit lidhur me këto rrethana të konsiderohet se ka sjellë vështirësi në zbulimin e të vërtetës.

Zano solli në vëmendje të Kolegjit se të gjitha institucionet kanë konstatuar përshtatshmërinë e subjektit për të vijuar detyrën dhe se është evidentuar se nuk ka të dhëna që ai të ketë pasur kontakte të papërshtatshme. Sipas saj, Preçi ka deklaruar në pyetësorin standard çdo udhëtim jashtë shtetit, përfshi dhe me Arben Frrokun në qershor të vitit 2012 dhe në muajin korrik me vëllain e tij, Mark Frroku.

Sipas subjektit, ai nuk i ka fshehur këto kontakte dhe se nuk është vërtetuar që takimi me ta të ketë qenë i panifikuar dhe i qëllimshëm. Zano u shpreh se në një rast udhëtimi ka qenë për qëllime humane dhe tjetri për vizitë turustike një ditore. Po ashtu, njohjet e të afërmve të Preçit me këta persona u përdorën si argument, se kanë qenë një lloj sigurie se nuk kishin problem me ligjin.

Po ashtu, u konstatua se kontaktet kanë ndodhur kohë përpara se vëllezërit Frroku të procedoheshin apo të ekspozoheshin publikisht. Sipas Zanos, që prej momentit kur subjekti ka mësuar nga mediat për problemet e vëllezërve Frroku, ka qenë i kujdesshëm që të mos ketë as kontakt rastësor me ata.

Në përfundim të paraqitjes së argumenteve për këtë shkak ankimi, Zano tha se është provuar se kontaktet e deklaruara nuk përmbushin kushtet ligjore për t’u konsideruar si kontakte të papërshtatshme.

Në aspektin profesional u trajtua një rast konflikti interesi në dukje lidhur me pranimin nga subjekti i një donacioni në shumën 30 mijë lekë për djalin e sëmurë, prej ortakut të një shoqërie që ka qenë palë e dëmtuar në një çështje të hetuar nga prokurori Preçi, për të cilën ka marrë vendim pezullimi. Sipas Dumanit, nuk qëndron pretendimi se vendimarrja për këtë çështje nuk ka qenë përfundimtare pasi është pezulluar. Drejtuesi i SPAK solli në vëmendje se çështjet pezullohen pasi kryhen të gjitha veprimet hetimore dhe se vendimi në fjalë është përfundimtar dhe lejohet ankim në gjykatë.

Po ashtu, drejtuesi i SPAK kërkoi që të merret në konsideratë dhe gjetja për një vendimarrje të subjektit për mosfillimin e një procedimi penal me argumentin se kishte natyrë civile. Gjykata e ka rrëzuar këtë vendimarrje të subjektit dhe ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të reja hetimore. Dumani vërejti se në këtë rast, subjekti nuk ka hetuar për të dyshuarin kryesor.

Ai kërkoi që këto gjetje të konsiderohen në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit tek drejtësia.

Në përfundim, drejtuesi i SPAK kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurorit Valentin Preçi.

Subjekit kundërshton që të jetë gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, me argumentet se ka disponuar me vendimarrje që i ka dhënë zgjidhje çështjes në tetor të vitit 2015, ndërsa donacioni është kryer në prill të 2016-ës. Sipas Preçit, mund të gjendej në konflikt interesi nëse vendimarrja do ishte marrë pasi të ishte kryer donacioni.

Lidhur me mosfillimin e hetimit, Preçi pretendon se nuk ka asnjë mangësi të hetimet e kryera prej tij. Sipas subjektit, nuk është i bazuar pretendimi në ankim i bazuar vetëm nga qëndrimi i ndryshëm i gjykatës, duke argumentuar se logjika e prokurorit nuk mund të vlerësohet mbi bazën e treguesve standard, pasi do të cënonte parimin e vendimarrjes.

Në përfundim, avokatja Romina Zano kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Valentin Preçi.

Kolegji u tërhoq për vendimarrje që do të shpallet me datë 26 shkurt, në orën 15:00./ Reporter

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luigj: 19/02/2025 10:12

    Ky qenka per tu fut ne burg direkt pas shkarkimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?