Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot pushimin e shqyrtimit të çështjes së prokurorit të Tiranës Robert Kote, duke sjellë si rezultat që vendimi i KPK-së për konfirmimin në detyrë të Kotes, i marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të marrë formë të prerë.
Kolegji argumenton në vendim se tërheqja nga kërkesa për shkarkim e prokurorit të SPAK Klodian Braho, i cili përfaqësonte drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, barazohet nga pasojat me heqjen dorë nga ankimi.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 8/2023, datë 24.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 600, datë 19.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Robert Kote.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe nenet 451, shkronja “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë unanime, vendosi:
Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 8/2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 600, datë 19.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në njoftimin e KPA-së.
Prokurori Robert Kote u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që konkludoi se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.
Komente
