Bledar Bejko

KPA shkarkon nga detyra prokurorin Bledar Bejko

26 Qershor 2023, 21:50| Përditesimi: 26 Qershor 2023, 21:53

  • Share

Kolegji e gjeti të pabazuar vendimarrjen e Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Bledar Bejko dhe e shkarkoi atë për probleme në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit, këto të fundit të bazuara në denoncimet e publikut.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën më 26 qershor vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Bledar Bejko. Kryesuesja e trupës, Albana Shtylla lexoi në mënyrë të përmbledhur, konkluzionet e arritura nga shumica e Kolegjit që vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për Bejkon dhe largimin e këtij të fundit nga sistemi i drejtësisë.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë më 26 maj 2022 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Ai iu nënshtrua dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe profesionalizmin. Por, vendimi i Komisionit u gjet prej Komisioneres Nino i pambështetur në vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve, e cila e ankimoi në Kolegj.

Shkaqet e ankimit u ngritën mbi burimet e një apartamenti; të dhënat lidhur me hetimin e një çështje nga subjekti që u trajtua në kriterin e figurës; si dhe disa çështjeve të tjera profesionale. Ndërkohë, Kolegji vendosi të trajtojë edhe disa denoncime nga publiku, të depozituara pas konfirmimit të subjektit.

Kryesuesja Shtylla sqaroi se për një apartament me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë, shumica e trupit gjykues të KPA ka arritur në përfundimin se prokurori Bejko ka kryer deklarim të pasaktë të burimit të shlyerjes së dy kredive konsumatore të marra prej tij në vitin 2007. Ajo tha se kjo pasaktësi, për shkak dhe të identifikimit të një tjetër burimi përgjatë hetimi administrativ, ka pamundësuar kontrollin e të ardhurave të ligjshme të përdorura për shlyerjen e parakohshme të tyre.

Kolegji ka gjetur probleme në transaksionet e kryera me një automjet në vitin 2007, pasuri për të cilën Bejko ka pretenduar se e ka blerë për llogari të një shoku të tij në Gjermani. Shtylla tha se subjekti është gjetur jo bindës lidhur me natyrën e këtij transaksioni. Ajo evidentoi se Bejko nuk rezulton të ketë bërë deklarime në vitin 2007 për këtë pasuri të luajtshme. “[…]E cila më së paku, formalisht është fituar e tjetërsuar prej tij nëpërmjet veprimeve juridike të blerjes dhe shitjes së pasurisë, e pasyqruar në kontratat formale të shitjes”, vërejti Shtylla dhe theksoi se kontradiktat në elementët e çmimit të këtij transaksioni të evidentuara në kontratat respektive të shitjes dhe blerjes, në mungesë të deklarimeve në kohën e kryerjes, mbeten elementë që pasqyron një problematikë që meriton të vlerësohet prej Kolegjit.

Mosdeklarimi i blerjes së një mjeti tjetër në vitin 2008, si dhe konsiderimi i fakteve të tjera që kanë rezultuar nga hetimi për këtë transaksion, është vlerësuar prej Kolegjit se tregojnë për një vlerësim të cekët të rrethanave në të cilat është kryer ky transaksion.”[…]Qoftë në drejtim të personit të deklaruar si shitës, si një i panjohur i subjektit, apo personit të deklaruar si dëshmitar, ndërmjetës në këtë transaksion, si dhe statusit të këtij të fundit si i dyshuar në një procedim penal të pushuar prej subjektit me një vendim që duket se i mungon arsyetimi ligjor, krijojnë kushtet që Kolegji ta trajtojë”, vërejti Shtylla lidhur me këto rrethana.

Në drejtim të kontrollit të figurës, KPA ka vlerësuar një procedim penal për vrasje, të trajtuar nga subjekti në vitin 2017. Megjithëse Kolegji nuk ka gjetur rrethana për të cilësuar Bejkon të papërshtatshëm në kriterin e figurës, Shtylla u shpreh se janë gjetur elementë të mjaftueshëm për mangësi profesionale.

Në aspektin profesional, u evidentuan probleme të tjera, që megjithëse nuk u konsideruan penalizuese, është çmuar të konsoiderohen në vlerësimin e përgjithshëm. Sipas Shtyllës, subjekti ka demonstruar mangësi profesionale në kushtet e ndryshimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj një shtetasi nën hetim në kuadër të një procedimi të vitit 2017 në Durrës.

Për një çështje tjetër, Shtylla sqaroi se janë konfirmuar nga gjykata mangësitë profesionale që kanë të bëjnë me mosrespektimin e afateve ligjore në marrjen e vendimeve nga ana e subjektit; moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme; si dhe zgjatja e kohës së hetimit paraprak përtej afateve të arsyeshme.

Po ashtu, u konstatua se bejko ka trenguar mangësi profesionale gjatë hetimit të një procedimi penal në vitin 2008 në Prokurorinë e Fierit, pasi nuk ka kryer të gjitha veprimet hetimore për hetimin e rrethanave që paraqiteshin në konsumimin e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. “Moskryerja e veprimeve hetimore, si dhe arsyetimi spërfaqësor i konfirmuar dhe nga kontrolli hierarkik brenda organit të akuzës dhe nga gjykata në fund, përbënë cënim të veprimtarisë së organit të akuzës dhe moskryerjen e detyrës në nivelin e duhur profesional duke afektuar kriterin e aftësive profesionale…”, deklaroi Shtylla ndër të tjera.

Megjithatë, këto probleme të konstatuara në shkaqet e ngritura në aspektin profesional, është çmuar se nuk mjaftojnë për të cilësuar prokurorin Bejko si të papaftë profesionalisht dhe për rrjedhojë gjetjet janë vlerësuar së bashku me të tjerat.

KPA ka gjetur probleme edhe në çështjet e denoncuara nga publiku. Në një çështje të denoncuar nga shtetasi I.H., Shtylla tha se janë konstatuar se qëndrimet e gjykatës në katër raste kanë qenë të ndryshme nga ato të subjektit, duke prishur vendimet e mosfillimit të marra prej tij. “Më së paku subjekti ka reflektuar një sjellje profesionale sipërfaqësore e jo në funksion të ushtrimit të detyrës, duke afektuar të drejtat e kallëzuesit, të paktën nëpërmjet mosveprimit të organit të akuzës”, deklaroi Shtylla.

Një denoncim tjetër është depozituar nga avokati S.K., ku pretendohen periudha kohore relativisht të gjata në të cilat subjekti nuk ka kryer asnjë veprim procedural, që duket se kanë ndikuar në zgjatjen e hetimeve paraprake nga 2017, pa arritur ende një përfundim. Sipas KPA, në këto kushte duket se janë cënuar të drejtat e individëve për të patur hetime në një kohë të arsyeshme, pavarësisht statusit ligjor të tyre.

Një tjetër denoncim nga publiku ka evidentuar mungesa të pajustifikuara të subjektit në disa seanca gjyqësore, që kanë sjellë zgjatje të shqyrtimit të kërkesës për gjykim.

Bazuar në këto gjetje, trupi gjykues i Kolegjit çmon se mangësitë profesionale nuk mund të shërohen përmes trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

KPA ka vlerësuar në mënyrë të përgjithshme të tre kriteret e rivlerësimit dhe bazuar në konkluzionet e arritura konkludon se subjekti gjendet në kushtet e e parashikuara në nenin 61, pika 5 e ligjit për vetingun e magjistratëve, që ka të bëjë me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia

“Jo rastësisht, nga ana e trupit gjykues konstatohet se pothuaj të gjitha problemet në kriterin e aftësive profesionale janë prezantuar nëpërmjet denoncimeve nga publiku, të cilat kanë rezultuar të drejta pas vlerësimit”, u shpreh Shtylla dhe shtoi se Kolegji ka çmuar se vijimi i ushtrimit të detyrës nga Bejko do të ishte i papërshtatshëm e për rrjedhojë duhej shkarkuar./Reporter.al

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • FBI: 12/07/2023 17:55

    Prokuror ma te korruptum nuk ka pa kjo dynja. Aq shume ka ble e ka shit me paret e vjedhura sa nuk i mban mend tani. Hakat e popullit akoma nuk kanë ardhur

    Përgjigju
  • Gjinokastrit: 26/06/2023 23:16

    Më vjen keq për babain e këtij skizofrenit, sepse dhe shkrimet qe bëri kundër Sali Berishës ja hodhën në bide. Ik tani me babain dhe thurini lavde Rilindjes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?