Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra prokuroren e Tiranës Mariola Mërtiri, e cila rezulton kunata e Mirel Mërtirit, në kërkim për aferën e inceneratorëve.
Vendimi u dha sot nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë.
KPA vendosi të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit marrë më 21 dhjetor 2022 me shumicë votash dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mariola Mërtiri. Vendimi i KPK u ankimua nga Komisionerja e cila ndër të tjera arsyetoi se Mërtiri gjendet në konflikt interesi, ka probleme të pasurisë dhe ka kontakte të papërshtatshme duke kërkuar shkarkimin e saj.
Në vendimin e sotëm trupi gjykues çmon se vijimi i kryerjes e detyrës nga subjekti do të ishte në mospërputhje me qëllimin e procesit të rivlerësimit për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia.
“Më këtë konkluzion trupi gjykues mbajti në konsideratë ndërthurjen e ndërsjelltë të vazhdueshme e të shtrirë në kohë e të ngushtë si dhe përzierjen në vazhdimësi të interesave financiare të personit të lidhur me subjektin të bashkëshortit sikurse dhe të vetë subjektit me kunatin e bashkëjetuesen e tij që cilësohen si persona të përfshieë në krimin e organizuar dhe nën dritën e procedimit penal të regjistruar në 2020” lexoi ndër të tjera vendimin gjyqtarja Ina Rama.
Ndër të tjera në vendimin e KPA, vuri në dukje problematikat e marrëdhënieve mes Mërtirit e bashkëshortit të saj, me vëllain e këtij të fundit dhe kunatën.
Bashkëshorti i prokurores ka pasur pozicione drejtuese në bizneset në pronësi të Mirel Mërtirit. Jo vetëm kaq kanë udhëtuar në Vjenë së bashku me bashkëjetuesen e Mërtirit, Stela Gugallja edhe kur ata ishin në hetim.
Bashkëshorti i subjektit ka qenë i punësuar për periudha disa vjeçare në pozicione drejtuese, kundrejt pagesave respektive në biznese në pronësi që janë objekt i procedimit penal të referuar për vepra penale që përfshin krimi i organizuar. Një nga këto marrëdhënie punësimi me përfitime financiare të konsiderueshme ka vijuar deri në 2022, që nënkupton dy vite pasi është regjistruar procedimi penal për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror, ose të zgjedhurve vendor dhe pasi i ishte regjistruar emri I kunatës për këto vepra penale të kryera në bashkëpunim, ose pasi çështja u soll në vëmendje të publikut në vitin 2018 apo u depozitua kallëzimi penal nga shoqëria civile në 2020.
Pavarësisht nga ndodhitë e pasqyruara në media apo kallëzimi penal rezulton se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj kanë vijuar të ruajnë marrëdhënie që dëshmojnë për interesa pasurore e sociale. Si udhëtimi i përbashkët në Vjenë i subjektit të rivlerësimit me bashkëshortin e bashkëjetuesen e vëllait në Vjenë.
KPA vëren dhe përdorimin e makinave në pronësi apo të përdorura prej individëve në proces hetimi që nuk janë familjarë të tyre, A.M dhe K.Z gjatë 2019- 2020 dhe përdorimi i një prej automjeteve që i përket personit juridik IPS SHPK në hetim nga SPAK për korrupsion e krim të organizuar.
KPA gjeti probleme edhe në çështjet e hetuara nga prokurorja dhe vlerësoi në tërësi se ajo “cënonte besimin e publikut te drejtësia”
Dmth nese shoqerimi eshte me te papershtatshem te keput KPAja. Shyqyr qe eshte kjo pune per prokuror e gjyqtare. Po te qe edhe per qeverrine do kishim ngel pa te. E sidomos pa krryeminister. Ne tre, ai kater i ka kontakte me te papershtatshem....
Përgjigju