Artor Ylli ne KPA, foto arkive

KPA u thotë 'stop' gjyqtarëve dhe prokurorëve: Nuk kemi tagër të rishikojmë vendimet tona të shkarkimit

14 Nëntor, 10:47| Përditesimi: 14 Nëntor, 11:02

  • Share

Tirane- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve u thotë “stop” subjekteve të rivlerësimit të shkarkuar prej tij, që kanë sjellë ose kanë në plan të sjellin kërkesa për rishikim vendimi, me shpresën e prishjes së vendimit dhe rikthimin e tyre në detyrë. Kjo, vetëm nëse Gjykata e Strasburgut urdhëron ndryshe, si në rastin e ish prokurores Antoneta Sevdari, që u rikthye në detyrë nga vetë Kolegji, i cila e pati shkarkuar më parë.    

Shqiptarja.com siguron vendimin Në vendimin e arsyetuar të ish - ndihmësit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli, i shkarkuar nga KPA me vendimin e formës së prerë nr. 31 (JR), datë 20.11.2019. Trupa gjykuese e Kolegjit e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë shpjegon në mënyrë të detajuar arsyet e mospranimit të kërkesave për rishikim vendimit të Yllit, duke iu referuar legjislacionit në fuqi.

Përpara shqyrtimit në themel të pretendimeve të Artor Yllit, Kolegji shtron për zgjidhje 3 çështje:  

1  Nëse ka një parashikim ligjor që përcakton juridiksionin rishikues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndaj vendimeve të dhëna prej tij.
2 -Nëse me anë të një interpretimi të brendshëm përmes qëllimit të dispozitës kushtetuese dhe ligjore mund të arrihet në përfundimin se Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka fituar këtë juridiksion rishikues.
3 -Si mund të mbrohen të drejtat e subjekteve të rishikimit për një proces të rregullt ligjor, kur ato janë shkelur nga gjykimi i çështjeve të tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të korrigjohet një gabim gjyqësor që shoqëron një vendim të dhënë me këto shkelje.


 Lidhur me çështjen e parë, pas një analize të kuadrit kushtetues dhe ligjor, Kolegji arrin në konkluzionin se dispozitat e Kushtetutës, Aneksit të saj dhe ligjit nr. 84/2016, lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar, parashikojnë dhe përcaktojnë në mënyrë të shprehur vetëm juridiksionin e Kolegjit mbi kontrollin ndaj vendimeve të marra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të ankimuara nga subjektet e rivlerësimit dhe Komisionerit Publik.

“Nga analiza e kuadrit rregullator të posaçëm, nuk rezulton të ketë asnjë parashikim eksplicit për ushtrimin e juridiksionit rishikues të Kolegjit, sipas kërkesës së parashikuar prej kërkuesit Artor Ylli, në çështjen objekt shqyrtimi. Mungesa e një parashikimi të tillë në ligjin e posaçëm, e shoqëruar edhe me mungesën e rregullave për trajtimin e kërkesave të tilla, e çoi trupin gjykues në nevojën e analizës së dispozitave që thirren për zbatim me referim, nëse nëpërmjet tyre mund të aplikohej/ushtrohej ky juridiksion rishikues i pretenduar prej kërkuesit’ thuhet në vendim.


Lidhur me çështjen e dytë, Kolegji ka marrë në shqyrtim dispozitat e tjera të legjislacionit të përgjithshëm, generalis, që janë të zbatueshme në procesin e rivlerësimit. Sipas nenit 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, parashikohet se kur është rasti, institucionet e rivlerësimit mund të zbatojnë edhe procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Civile, Kodin e Procedurave Administrative ose në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, nëse këto procedura nuk janë parashikuar nga dispozitat e Kushtetutës ose të këtij ligji.

Trupi gjykues arrin në konkluzionin se as nga interpretimi i dispozitave të mësipërme nuk derivohet vullneti i ligjvënësit për t’i përcaktuar Kolegjit juridiksionin rishikues, mbështetur në juridiksionin rishikues të gjykatave të zakonshme të vendit.

Lidhur me çështjen e tretë të shtruar për zgjidhje se si mund të mbrohen të drejtat e subjekteve të rishikimit për një proces të rregullt ligjor, kur ato janë shkelur nga gjykimi, në vendim vlerësohet se Kolegji i Posaçëm i Apelimit mund të ketë juridiksion rishikues vetëm nëpërmjet zbatimit të Vendimeve të GjEDNj-së në përgjigje të ankimit të vetë kërkuesit.  
Situatat e tjera të parashikuara nga legjislacioni i brendshëm, për t’u zbatuar si rrethana për rishikimin e vendimeve civile/administrative u vlerësuan se nuk gjejnë zbatim brenda kontekstit të procesit të rivlerësimit, i cili është një proces i jashtëzakonshëm i realizuar prej organeve me mandat të kufizuar dhe që zhvillohet brenda një kuadri ligjor që përfshin edhe kufizimet e parashikuara nga neni A i Aneksit të Kushtetutës.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se kërkesat e regjistruara me nr. 2-4/2019 (JR), datë 10.01.2022 dhe nr. 143/2 prot., datë 14.02.2024, të paraqitura nga Artor Ylli për rishikimin, prishjen dhe gjykimin e çështjes në themel nuk bëjnë pjesë në juridiksionin e rivlerësimit kalimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pas vendimit të arsyetuar të ish - prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme Rovena Gashi, ku argumenton se vepra penale për të cilën është dënuar penalisht  Luan Daci  nuk ka asnjë lidhje shkakësore me vendimet e shkarkimit të marra në KPA dhe rrjedhimisht nuk i cenon ato, ky është vendimi i dytë i arsyetuar, nëpërmjet të cilit, Kolegji vulos qëndrimin e tij, se subjektet e shkarkuar të rivlerësimit nuk kanë shpresa për rikthim në detyrë nëpërmjet paraqitjes së kërkesave për rishikim vendimi, përveç rasteve kur Gjykata e Strasburgut përcakton ndryshe.

Aktualisht, në Kolegj janë në proces shqyrtimi 28 kërkesa për rishikim vendimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, ndërkohë që Kolegji vijon procesin e rivlerësimit për ankimet e subjekteve dhe Komisionerit Publik ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, proces ky që duhet të përfundojë brenda mandatit kushtetues, qershorit të vitit 2026.

Vendimi i KPA-se per ish - ndihmësin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli

 

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Drejtesia e re: 15/11/2024 08:32

    Ky eshte me i keputuri nga ato qe e kane hequr. Ka punuar si avokat kryesisht cope- cope. Po ku te le vetingu te ngeje koke fukarai, i futen rrulin, e bene martir te reformes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ndryshohen drejtorët e policisë në qarqe, do ketë më shumë rend e siguri?