Nga vetingu në KPK i ish-magjistrates Blerta Marku

Kronikë

KPK e kishte shkarkuar gjyqtaren e Gjirokastrës për pasurinë, KPA lë në fuqi vendimin e vitit 2022 për Blerta Markun

15 Maj, 16:12| Përditesimi: 15 Maj, 16:33

  • Share

Vettingu i drejtësisë nxjerr përfundimisht jashtë sistemit për 15 vitet e ardhshme edhe një tjetër magjistrat.

KPA-ja ka lënë sot (15 maj) në fuqi vendimin e KPK-së i marrë tre vite më parë ndaj gjyqtares së Gjykatës Gjirokastër, Blerta Marku (Çibuku).

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin mbi ankimimin e bërë në dhjetor të vitit 2022.

Sipas verifikimeve të kryera në të trija shtyllat për kriteret më 26 shtator 2022 kur u dha vendimi i shkallës së parë, rezultoi se ish-magjistratja nuk justifikonte blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 87.93 m2 në Gjirokastër, kundrejt çmimit 900 mijë lekë, si dhe për shpenzimet e tjera të kryera në atë periudhë.

Marku ka deklaruar të ardhurat e saj nga puna si gjyqtare dhe ato të bashkëshortit nga puna në Greqi në shumën 29 mijë euro. Relatorja Qirko konstatoi se subjekti nuk ka arritur të provojë të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion.

Në vijim ajo vërejti se në llogarinë e bashkëshortit të subjektit ishin kryer depozitime në vlerën rreth 40 mijë euro gjatë periudhës 2002-2006 dhe jo 29 mijë euro, sa kishte deklaruar Marku se ishin kursimet nga emigracioni. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Po ashtu, u ngritën dyshime se apartamenti ishte blerë më lirë nga vlera e tij, ku sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, duhej të ishte në vlerën rreth 2.5 milionë lekë.

Vendimi i KPA-së:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 53/2022, datë 28.12.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Blerta Marku (Çibuku) kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 565, datë 26.09.2022.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 565, datë 26.09.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Blerta Marku (Çibuku).

Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 15.05.2025, në Tiranë”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se qeveria Rama 4 do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?