Natasha Prifti

KPA largon përfundimisht nga drejtësia prokuroren e Lushnjës, u konfirmua nga KPK, por ONM ankimoi vendimin

4 Korrik 2022, 20:17| Përditesimi: 4 Korrik 2022, 20:42

  • Share

TIRANË- Prokurorja e Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi) është larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me shumicë votash, ka shkarkuar nga detyra Prifti. Prifti u konfirmua në detyrë nga KPK më 28 maj 2021, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin.

Prifti u gjet pa probleme në vlerësimin e profesionalizmit. Ndërsa disa pasaktësi janë gjetur në lidhje me gjendjen cash të të ardhurave të saj. Nga analiza financiare prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kishte rezultuar se bashkëshorti i prokurores, i cili kishte një aktivitet tregtar për mallra industrialë, rezultonte me mungesë burimesh të ligjshme prej 3.2 milion lekë për vitet para fillimit të bashkëjetesës. Kjo mungesë më pas prekte kursimin e deklaruar prej 4 milion lekësh dhe investimet në pasuri të luajtshme të çiftit pas martese duke krijuar disa bilance negative.

Gjithashtu nga relatimi rezultoi se çifti jetonte në një apartament me qira dhe nuk kishte pasuri të paluajtshme, por doli se bashkëshorti ishte përfshirë në një sërë shit-blerje makinash. Nga 10 raste shit-blerje makinash, 7 rastet e kishin rezultuar me probleme, kryesisht të fokusuara në mospagimin e tatimit mbi fitimin për rastet kur makinat ishin shitur me një çmim më të shtrenjtë nga ai i blerjes me disa muaj diferencë.

Prifti po ashtu pranoi deklarimin jo të saktë të pronësisë mbi një makinë që ajo kishte blerë me një kredi në vitin 2007. Por pavarësisht këtyre Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmonte në detyrë prokuroren Natasha Prifti.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Që prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnje.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?