Ish-gjyqtarja Teuta Hoxha, pas vetingut në KPK

Kronikë

KPK e shkarkoi gjyqtaren e Tiranës se nuk justifikoi pasurinë, KPA lë në fuqi vendimin për Teuta Hoxhën

8 Korrik, 17:12| Përditesimi: 8 Korrik, 17:16

  • Share

Tiranë- Largohet nga drejtësia një tjetër magjistrat pas Vettingut. KPA la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke përjashtuar për 15 vitet e ardhshme gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Teuta Hoxha.

Trupa gjykuese e përbërë me kryesuese Albana Shtyllën, vlerësoi si të drejtë vendimin e KPK-së, i marrë më 22 nëntor 2022 dhe i ankimuar nga ish-magjistratja.

Motivi i shkarkimit të Hoxhës ishte çështja e pasurisë, teksa KPK i kishte refuzuar kërkesën që të hapte një proces për shtyllat e profesionalizmit dhe karierës.

Problemet kryesore që u evidentuan nga Komision i kishin të bënin me pamundësi të vërtetimit të burimeve për një apartament në përdorim në Tiranë, në pronësi të babait të bashkëshortit, një apartament në Golem, të një zyre dhe të dy automjeteve. Po ashtu, u konstatua gjykimi i tre çështjeve në kushtet e konfliktit të interesit. Hoxha i kundërshtoi gjetjet e Komisonit dhe kërkoi çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, kërkesë që nuk u pranua.

Teuta Hoxha kishte një karrierë 22-vjeçare në sistemin e drejtësisë, ku prej vitit 2000 ushtronte detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi i KPA-së:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 4/2023, datë 02.02.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Teuta Hoxha, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 587, datë 22.11.2022.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 587, datë 22.11.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Teuta Hoxha.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, sot, më datë 08.07.2025”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?