Matilda Shalla gjatë Vettingut në KPK

KPK e shkarkoi gjyqtaren Matilda Shalla më 2022 për shkak të pasurisë, Vettingu i KPA lë në fuqi vendimin për magjistraten e Fierit

23 Tetor, 16:34| Përditesimi: 23 Tetor, 16:37

  • Share

Tiranë- Komisioni i Apelimit të Vettingut la sot (23 tetor) në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e gjyqtares Matilda Shalla, pas problemeve të konstatuara me kriterin e verifikimit të pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli më 28 prill të vitit 2022 shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Matilda Shalla, e cila e apeloi më tej.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Shalla në shkallën e parë u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja me relatore Panela Qirko dhe anëtar Roland Ilia.

Komisioni konstatoi balanca negative në vlera të mëdha në transaksionet e gjyqtares Shalla dhe ish-bashkëshortit të saj për blerjen e disa apartamenteve, për të cilat ajo këmbënguli se bëhej fjalë për të njëjtën banesë. Shalla dha shpjegime edhe për situatën e pasurisë pas zgjidhjes së martesës. Por sot edhe KPA është bindur se vendimi i KPK ka qenë i ligjshëm, duke e lënë në fuqi dhe shkarkuar përfundimisht magjistraten.

Matilda Shalla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2009, Shalla e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Fier.

Vendimi i marrë sot nga KPA:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo si kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi si anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 30/2022, datë 29.06.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Matilda Shalla, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 526, datë 28.04.2022.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 526, datë 28.04.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Matilda Shalla.

– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?