Agron Zhukri

KPK e shkarkoi, pasuria e gruas ‘mori në qafë’ gjyqtarin Agron Zhukri! I dha vulën e PD-së Berishës

15 Korrik, 11:54| Përditesimi: 15 Korrik, 11:59

  • Share

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri nuk kishte asnjë pasuri të regjistruar në emër të tij, por bashkëshortja e tij zotëronte pasuri të luajtshme e të paluajtshme, të krijuara gjatë martesës, në disa prej të cilave janë deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga puna e përbashkët. KPK sjell në vëmendje se bazuar në Kodin e Familjes, pasuritë i nënshtrohen regjimit pasuror martesor të bashkësisë ligjore, të dy bashkëshortëve. Nisur nga këto rrethana, Komisioni vlerëson se subjekti duhej të kishte pasqyruar në deklaratën “veting” pjesët takuese në pasuritë e deklaruara nga bashkëshortja, që i kanë në bashkëpronësi.

Nё deklaratёn “veting”, Zhukri nuk ka deklaruar as llogari apo depozita bankare, ndërkohë që një bankë ka konfirmuar se ai është klient, si mbajtës i një llogarie.

Si burime për krijimin e pasurive janë deklaruar ndër të tjera dhe të ardhurat e bashkëshortes së subjektit nga biznesi i saj, si dhe si ndërmjetësuese në sektorin privat. Në lidhje me të ardhurat nga biznesi i bashkëshortes, Komisioni konstaton se ajo është regjistruar si person fizik në vitin 2001 dhe është çregjistruar në 2010-ën, duke realizuar qarkullim për vitet 2003 – 2006 dhe 2008 – 2009 në shumën totale prej 33 milionë lekësh. Për vitet 2001 dhe 2002 nuk kanë rezultuar të dhëna për qarkullimin, ndërsa për vitin 2007 kjo kategori subjektesh ka qenë në administrim të Bashkisë.

Të ardhurat e deklaruara si të përfituara prej bashkëshortes nga ndërmjetësimi në sektorin e sigurimeve, Komisioni ka vlerësuar të mos i konsiderojë, pasi ka konsideruar mospërputhjet lidhur me shumat e përfituara, kohën e përfitimit, si dhe se nuk është provuar në mënyrë shteruese se shumat e shënuara në vërtetime janë përfituar prej saj. Po ashtu, konstatohet se nuk është provuar as pagesa e tatimit në burim për këto të ardhura.

Sipas KPK, edhe nëse këto të ardhura do të konsideroheshin, sërish bilanci negativ i përgjithshëm do të mbetej në vlerë të madhe.

Bashkëshortja ka deklaruar një shtëpi banimi të ndërtuar në vitet 1963-1965 dhe e rikonstruktuar në vitin 1996. Ajo ka sqaruar se janë shpenzuar rreth 2.8 milionë lekë, me burim të ardhurat nga shitja e një trualli 450 m2, si dhe nga të ardhurat e familjes ndër vite.

Nga hetimi kësaj pasurie dhe investimeve të kryera ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshortja kanë bërë deklarim të pasaktë dhe të paplotë në lidhje me sipërfaqet, vlerën e investimit dhe burimin e krijimit. Po ashtu kanë rezultuar me balancë negative në shumën 2.4 milionë lekë për punimet e kryera në vitin 1996.

Sipas KPK, subjekti dhe personi lidhur nuk kanë deklaruar një shtesë prej 125.2 m2, të legalizuar, investim për të cilin ka rezultuar bilanc negativ. KPK konstaton se në deklaratën “veting” nuk janë deklaruar pjesët takuese në bashkëpronësi, pasi përveç pjesës që Zhukri i ka dhuruar bashkëshortes në shkurt të vitit 1996, të gjitha shtesat e tjera janë pasuri martesore në bashkësi.

Komisioni vëren se megjithëse subjekti ka kundërshtuar, ai nuk ka paraqitur argumente bindëse dhe nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës në lidhje me deklarimet e pasakta në sipërfaqe, në vlerën e investimit e burimin e krijimit, si dhe është konstatuar mungesë e burimeve të ligjshme për këtë pasuri.

Si burime financiare për blerjen e një njësie në Tiranë, bashkëshortja e subjektit ka shënuar në deklaratën “veting” tё ardhurat nё vite deri nё ’99-ën nga paga, tё ardhura nga veprimtari shoqërore, si dhe nga aktiviteti si ndërmjetëse nё sigurime. Ndërsa në vitin 2003 ka deklaruar se të gjitha pronat e blera janë siguruar nga puna e përbashkët në vitet 1990 e në vijim, puna në Itali në Ambasadën e Shqipërisë në Romë në periudhën 1993-1994, si dhe biznesi privat prej vitit 1999.

Komisioni ka konstatuar në përfundim të hetimit paraprak se Zhukri nuk ka shënuar në deklaratën “veting” pjesët takuese në bashkëpronësi, duke qenë se kjo pasuri është fituar gjatë martesës, si dhe se kanë mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e dyqanit. Në analizën finaniciare nuk janë përfshirë të ardhurat nga puna në Itali dhe nga ndëmjetësimi, pasi sipas KPK nuk janë vërtetuar. Në përfundim, KPK ka konsideruar vetëm pretendimet e subjektit për uljen e shpenzime jetike, megjithatë ka rezultuar sërish pamundësi financiare.

Komisioni ka gjetur një sërë problemesh lidhur me një banesë 1 katëshe + truall, të investuar nga bashkëshortja së bashku me një shoqëri ndërtuese në vitin 2003. Veç mosdeklarimit të pjesëve takuese, KPK vlerëson se nuk qëndron pretendimi i subjektit se mosdeklarimi i kontratës së sipërmarrjes të vitit 2003 dhe i aktmarrëveshjes të vitit 2015 me shoqërinë në fjalë, ka qenë thjesht një pasaktësi. Sipas KPK, megjithëse Zhukri ka deklaruar se kontrata e sipërmarrjes ndodhet bashkëngjitur deklaratës “veting”, ka rezultuar se ai nuk e ka paraqitur këtë dokument. Bazuar në këto rrethana, Komisioni vlerëson se subjekti është përpjekur për ta paraqitur këtë fakt në mënyrë të pavërtetë dhe jo si pasaktësi, ashtu si ka pretenduar.

Po ashtu, çmohet jo bindës argumenti i subjektit se këto kontrata në atë kohë nuk kishin sjellë asnjë efekt. Sipas KPK, ato kanë fuqinë e ligjit dhe efekti i tyre lind që në momentin e nënshkrimit, duke sjellë të drejta dhe detyrime për palët.

Në vijim, Komisioni vlerëson se mosdeklarimi i përfitimit të një shume 30 mijë euro nga shoqëria ndërtuese, është vazhdë e së njëjtës sjelljeje që ka lidhje me mosdeklarimin e dy marrëveshjeve të lidhura. Shpjegimi i subjektit se arsyeja e përfitimit të kësaj shume është lejimi i ndërtimit nga shoqëria ngjitur me pronën e bashkëshortes, pa respektuar distancat, konsiderohet i pakuptimtë nga KPK. Sipas Komisionit, apartamenti është blerë në bashkëpronësi me shoqërinë dhe në të njëjtën datë është lidhur kontrata e sipërmarrjes mes bashkëshortes së subjektit dhe kësaj firme, me qëllim ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me shumë kate, në këmbim të 30% të sipërfaqes ndërtimore, por jo më pak se 248 mijë USD.

Nisur nga fakti se vetë kontrata e sipërmarrjes parashikon fillimin e punimeve dhe të drejtën e shembjes së ndërtimeve mbi sipërfaqen e truallit, pa pasur një pasuri kufitare ku do të duhej të mbahej distancë, Komisioni çmon se pretendimi mbi arsyet e përfitimit të kësaj shume, përveçse i paprovuar, është edhe i palogjikshëm.

“Për më tepër, arsyeja e dhënë nga subjekti se përfitimi i kësaj shume është për shkak se ai i ka bërë një favor firmës së ndërtimit sepse ndërtimi ishte ngjitur me pronën tonë dhe shkelte kushtet e urbanistikës (edhe pse i paprovuar dhe kontradiktor si argument), do të tregonte në vetvete përfitim nga lejimi i një paligjshmërie”, arsyeton KPK.

Megjithëse KPK ka konsideruar disa prej pretendimeve të subjektit lidhur me të ardhurat, sërish viti 2003 ka mbetur me bilanc negativ.

Për një banesë në në fshat të Kavajës, Komisioni ka konstatuar se bashkëshortja e subjektit ka bërë deklarim të pasaktë dhe jo të plotë të sipërfaqes së ndërtimit, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë të vlerës. Po ashtu, është konstatuar mungesë e burimeve për pagesën e kësteve. Pretendimet e subjektit janë gjetur jo bindëse dhe për këtë pasuri.

Deklarime të pasakta dhe kontradiktore të Zhukrit janë konstatuar dhe për transaksionet e kryera pë blerjen e dy apartamenteve në Tiranë, në vlerën 280 mijë euro. Si burim krijimi të këtyre pasurive janë deklaruar një kredi në masën 180 mijë euro, të ardhurat nga biznesi e ndërmjetësimi bashkëshortes. Po ashtu, janë pretenduar të ardhura dhe nga dhënia me qira e këtyre apartamenteve për aktivitete biznesesh. Komisioni konstaton se ka rezultuar bilanc negativ për pagesën e një pjese të kësteve.

Pamundësi kanë rezultuar dhe në krijimin e gjendjeve cash dhe blerjen e një automjeti.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ në vlerën totale 83 milionë lekë. Kjo pamundësi, së bashku me pasaktësitë në deklarime, janë çmuar se e vendosin gjyqtarin Agron Zhukri në kushtet e deklarimeve të pamjaftueshme në kriterin pasuror.

Komisioni vëren se subjekti, në mënyrë të përsëritur në parashtrime, nuk ka dhënë sqarime në lidhje me disa nga konstatimet ose kërkesat që i janë drejtuar, qëndrim që është mbajtur në konsideratë gjatë vendimmarrjes.

Në përfundim, KPK vendosi më 19 prill shkarkimin e gjyqtarit Agron Zhukri për problemet e konstatuara për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll vetingu i tij./BIRN

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?