Politikë

KAS rrëzon KQZ: Kuvendi të miratojë 'Paketën e maleve' e pr/ligjin për TVSH në Bujqësi! Celibashi pezullon ligjin për të burgosurit (DOKUMENTI)

19 Shkurt, 08:33| Përditesimi: 19 Shkurt, 20:43

  • Share

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë mund të miratojë nismën “Paketa e Maleve” e cila synon shitjen e tokave shtetërore me tarifën 1 euro, si dhe ndryshimet në skemën e tatimit në bujqësi, që rimburson TVSH-në për produktet e blera te fermeri, pavarësisht se kjo po ndodh përpara zgjedhjeve. 

Ndalimin që bëri Komisioneri Ilirjan Celibashi, e rrëzoi sot me shumicë votash Komisioni i Ankesave dhe Sanskioneve. 

Kuvendi argumentoi në seancë se nismat nuk krijojnë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët, ndërkohë që “Paketa e maleve” është nismë e shpallur prej kohësh. Nga ana e tij deputeti Erjon Braçe tha se Komisioni i Ekonomisë ka ndërprerë diskutimin e pr/ligjit për TVSH në Bujqësi.

KQZ ishte shprehur se ligjet prekin politika të rëndësishme fiskale, pasi ndryshimet e propozuara do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar.

KAS me shumicë votash, pranoi pjesërisht ankimimin dhe vendosi shfuqizimin e pikës 2 të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilën i rekomandohet Kuvendit të Shqipërisë të mos përfshijë për shqyrtim në seancë plenare projektligjin “Për paketën e maleve” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””.

Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dha vendim bllokues për një tjetër iniciativë të Kuvendit. Celibashi kërkoi të mos miratohet nisma e Nasip Nacos që ju lejon të burgosurve me më pak se 2 vite e muaj dënim, të dalin nga qelia të punojnë. 

Argumentet  pro e kundër

Sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi "Fusha e veprimit të dy projektligjeve, atij "Për paketën e maleve" dhe projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë" prekin politika të rëndësishme fiskale.

Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale, argumentoi kreu i KQZ-së.

Por Kuvendi argumenton se nismat nuk krijojnë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët. Për Paketën e Maleve’ e cila synon zhvillimin e zonave malore, në ankimimin e bërë në KAS, Kuvendi jep 4 arsye pse kjo nismë nuk bie në kundërshtim me Kodin zgjedhor, pasi nuk parashikon shpërndarje të fondeve publike, synon të rregullojë problemet e pronësisë në zonat malore, përfitimet janë afatgjata dhe nuk favorizon një grup të caktuar.

Kuvendi thotë se projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, 'Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë" nuk bie ndesh/cenon me nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor.

Argumentet e Kuvendit për pr/ligjin për TVSH në Bujqësi
-Nuk krijon përfitime të drejtpërdrejta për një kategori specifike të popullsisë: Projektligji nuk është një akt që synon favorizimin e ndonjë grupi të caktuar elektorati. Ai trajton një çështje fiskale dhe ekonomike që prek një sektor të tërë të ekonomisë dhe synon krijimin e një ambienti më të drejtë konkurrues.
 -Nuk përmban ulje taksash apo përfitime financiare me ndikim electoral: Ky projektligj nuk ndryshon nivelin e taksave për një grup të caktuar zgjedhësish, por sjell një rregullim të përgjithshëm të TVSH-së për sektorin bujqësor. Kjo masë nuk krijon një avantazh të drejtpërdrejtë për një kategori të popullsisë dhe për këtë arsye nuk bie nën kufizimet e nenit 91. pika 4.

Edhe sa takon paketës së maleve kuvendi evidenton se projektligji paketa e maleve është lancuar prej shumë kohësh tashmë dhe është pjesë e tryezave dhe diskutimeve në mbi 35 shoqëri cilive

Argumentet e Kuvendit për Paketën e maleve
-Nuk parashikon shpërndarje të drejtpërdrejtë fondesh apo ndihmash financiare ndaj individëve apo bizneseve, por rregullon procesin administrativ të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit të zonave malore. Kjo e dallon atë nga politikat që synojnë përfitime të menjëhershme që mund të përdoren për qëllime elektorale.
-Synon zhvillimin e zonave malore në zhvillim dhe nuk krijon një përfitim të drejtpërdrejtë për një kategori specifike votuesish.
-Përfitimet nga projektligji janë të përgjithshme dhe afatgjata, duke synuar investitorët dhe komunitetet vendore në tërësi dhe jo një grup të caktuar të popullsisë që mund të ndikojë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve.
-Nuk ka një favorizim të një grupi të caktuar të votuesve, pasi ligji vendos kritere të përgjithshme dhe të hapura për të gjithë investitorët dhe poseduesit jopronarë.

Pse i pezulloi KQZ?

Sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi "Fusha e veprimit të dy projektligjeve, atij "Për paketën e maleve" dhe projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë" prekin politika të rëndësishme fiskale.

Argumentet e KQZ-së: 
-Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale.
-Kufizimet, apo ndalimet e parashikuara në nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor mund të jenë penguese edhe kur vërehet që akti që kërkohet të shqyrtohet, apo miratohet nuk duket se do të përdoret për qëllime politike, apo elektorale. por është vetë ligjëvënsi ai që në këtë pikë e ka vlerësuar që për një kategori aktesh për periudhën 4 (katër) muaj përpara datës së zgjedhjeve ndalimi për miratimin e tyrë është i domosdoshëm. Përjashtimin e ka bërë vetëm për rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore"

 

 

Këtu ankimi i Kuvendit në KAS

Ora 20:40
KAS rrëzoi Celibashin për TVSH-në e Bujqësisë, Braçe: Fituam, vendimi bllokues ra! Tani te Komisioni i Ligjeve, s’ka më pengesa e kundërshtarë

Deputeti socialist Erion Braçe, sot në KAS për të mbrojtur nismën për Bujqësinë

Komisioni i Ankesave në KQZ rrëzoi sot kërkesën e kryetarit Ilirjan Celibashi për të ndaluar disa nga nismat e Kuvendit, mes tyre edhe ajo e taksës për Bujqësinë.

Deputeti Socialist, Erion Braçe, ka reaguar pas vendimit që e konsideron fitore, duke theksuar se tashmë nisma që ka propozuar do ndjekë procedurat e mëtejshme parlamentare për t’u finalizuar.

Kreu i KQZ i konsideronte këto nisma të mazhorancës me efekte elektorale dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. 

“Vendimi bllokues i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve u rrëzua sot! Tani ecim përpara në Komisionin e Ligjeve dhe Ekonomisë. Nuk besoj se ka më pengesa, Kundërshtarë! Pritjes 6 vjet po i vjen fundit!!”, shkruan ligjvënësi socialist në profilin e tij, në rrjetin social Facebook.

Braçe ishte i pranishëm edhe vetë ditën e sotme në KAS për të mbrojtur nismën e PS-së dhe Komisionit.

“Për Bujqësinë, popullin e bujqësisë: Fituam! Në KAS për projektligjin e TVSH, për të rikthyer në normalitet, natyralitet, TVSH-në e Bujqësisë”, shkruan ndër të tjera deputeti. 

Ora 17:13
Vendimi i KAS-it për vijimin në Parlament të procedurës për ‘Paketën e Maleve’, Ministria e Ekonomisë: Konfirmoi se nuk bie ndesh me legjislacionin!

Postimi i MEKI me video-mesazh për 'Paketën e Maleve'

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përshëndeti sot vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e procedurave parlamentare në miratimin e projektligjit "Për Paketën e Maleve".

“Ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi”, thuhet në reagimin e institucionit, në rrjetin social Facebook

Më tej ata shprehen “të lumtur që nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa”.

Kjo, sipas MEKI-t, garanton qasje të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave malore, bazuar në standarde dhe praktika më të mira.

S.G/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?