Partia Demokratike luan edhe një gur të fundit për mosnjohjen e zgjedhjeve të 11 majit. Siç Report Tv e kishte mësuar përmes burimeve, PD ka ankimuar në Kolegj Zgjedhor vendimin e Komisionit Rregullator që certifikoi përfundimisht rezultatin e 11 majit.
Në padinë e depozituar pranë Kolegjit Zgjedhor, Partia Demokratike ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi.
Sipas PD-së, këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave ndërkombëtare monitoruese, përfshirë OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit.
Në padi theksohet se rezultati i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 11 maj 2025 është i pavlefshëm dhe nuk mund të pranohet si i tillë.
'Duke qenë se këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit, është i qartë fakti që rezultati i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 11 maj 2025 është i pavlefshëm dhe nuk mund të pranohet si i tillë. Për më tepër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, nuk mori asnjë masë për të parandaluar apo adresuar këto problematika.
Vetëm një vendim i drejtë dhe i guximshëm i Kolegjit Zgjedhor do të shërbente si garanci për mbrojtjen e parimeve demokratike, respektimin e vullnetit qytetar dhe vendosjen e një precedenti të nevojshëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ndaj, për të gjitha këto arsye, dhe duke marrë në konsideratë se provat dhe argumentet e paraqitura janë të plota dhe të pakundërshtueshme, kërkojmë që: Në seancën e gjykimit përpara Kolegjit, të kërkohet përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor pranimi i plotë i kësaj padie sipas objektit të saj, duke vendosur: Ndryshimin e Vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KOZ, duke vendosur rrëzimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025', thuhet në padinë e PD.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.
Pas fitores së PS në zgjedhjet e 11 majit PD hodhi akuza për vjedhje zgjedhjesh.
Komente
