Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me tabelat përmbledhëse të të 12 qarqeve, duke vulosur rezultatin 83 mandate për PS, 50 për PD-ADSHM dhe 7 mandate për forcat e tjera të reja; 3 PSD, 2 Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 1 Nisma Shqipëria Bëhet.
Pas certifikimit, Partia Socialiste vendosi të festojë fitoren e zgjedhjeve të 11 majit mbrëmjen e sotme (ora 18:30) në pallatin e Brigadave.
Por ndryshe është atmosfera në kampin demokrat, i cili po përgatit ankimimin për rezultatet. Sot (26 maj), selia blu ka depozituar ankimimin në KAS për qarkun e Beratit, ku pretendon parregullsi, teksa e humbi garën 5 me 2 ndaj socialistëve në mandate deputetësh.
Me anë të përfaqësuesit të saj ligjor, Franc Nuri, PD ka dorëzuar një ankimim në KAS me 20 faze, ku rendit pretendimet e saj, me kryefjalë manipulimin e votave.
"Kemi prova për parregullsi dhe problematika në Qendrat e Votimit", thuhet mes të tjerash në ankimim, teksa renditen edhe materiale të pretenduara.
Demokratët mësohet se po bëjnë gati edhe ankimimin për qarkun e Korçës.
PD pretendon për një masakër zgjedhore, teksa të njëjtin hap tha se do e ndjekë edhe me qarqet e tjera.
Deri tani PD ka ankimuar Kukësin dhe me Beratin dhe Korçën do të bëhen 3 qarqe të kontestuara. Opozita arriti të fitonte vetëm në 3 nga 12 qarqet; Kukës, Shkodër dhe Lezhë, por me diferenca shumë të ngushta.
PD ka hedhur akuza edhe për "trenin bullgar", por zyrtarisht Policia e Shtetit ia ka rrëzuar pretendimet deri tani, si rasti i Peqinit, ku rezultoi se ishin fletë të rreme dhe që shërbenin vetëm për të mësuar votuesit, pasi nuk kishin as vula.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
