TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar nga Kuvendi që të mos miratojë dy projektligje, ato për paketën e maleve dhe për tatimin mbi vlerën e shtuar, duke theksuar se këto ndryshime mund të ndikojnë në elektorat.
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha se miratimi i këtyre projektligjeve mund të krijojë perceptimin e përdorimit të tyre për qëllime elektorale. Ai shtoi se duhet shmangur çdo ndikim në elektorat përmes ndryshimeve në politikat fiskale në periudhën e zgjedhjeve.
Reagimi i Ilirjan Celibashit:
Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligjit “Për paketën e maleve”, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike.
Në këtë kontekst, miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale. Për këtë arsye, i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mos i shqyrtojë këto dy projektligje në seancë plenare.
Lajmi ne perditesim...
Komente
