Politikë

KQZ ia dha mandatin kushërirës së tij, Lapaj kërkon anulimin e vendimit në KAS: Më takon mua

28 Korrik, 10:51| Përditesimi: 28 Korrik, 18:53

  • Share

TIRANË- Adriatik Lapaj nuk heq dorë nga ‘lufta’ për t’u bërë deputet në shtator dhe kështu vijon të këmbëngulë se mandati duhet t’i kalojë tij, si më i votuari i listës së hapur. Pasi KQZ ia dha mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli, ashtu siç pritej kreu i Shqipëria Bëhet është ankuar në KAS.

Në kërkesën depozituar Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, Lapaj ka parashtruar edhe njëherë të gjithë pretendimet e tij se përse mandati i takon listës së hapur, duke kujtuar se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi më datë 11 maj.

Po ashtu, Lapaj kërkon nga KAS jo vetëm që të njohë këto dorëheqje, por të mos pranojë revokimin nga dorëheqja të Kleana Xhuvelit dhe Zeqir Kordhonit. Për rrjedhjojë Lapaj kërkon që të rrëzohet vendimarrja e komisionerit Celibashi dhe mandati ti kalojë atij. 

“Çështja që ngre KQZ-ja nuk ka lidhje me situatën në të cilën ndodhemi. Jemi përpara situatës që 12 kandidatët kanë shprehur vullnetin me shkrim në datën 11 maj për tu dorëhequr nga kandidimi, dhe nëse KQZ do të kishte përmbushur detyrimin ligjor për të dalë me një akt administrativ (të miratimit, refuzimit apo të çfarëdo forme dhe përmbajtje), do të ndodheshim përpara faktit që KQZ nuk do t'i hynte fare këtij diskutimi, por do të kishte proceduar me djegien e listës së mbyllur dhe do të kishte proceduar me kalimin e mandatit tek më i votuari i listës së hapur.

Në kushtet kur KQZ nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, e ka vendosur subjektin zgjedhor në një pasiguri juridike në raport me gjithë subjektet e tjera zgjedhore, duke krijuar një precedent te rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe fuqinë institucionale, duke e nëpërkëmbur marrëdhënien mes institucionit dhe individit. Kjo për faktin se heshtja e KQZ ka krijuar kushtet për të vesuar vullnetin e kandidatëve të tërhequr.

Pjesë e këtij procesi ankimimi duhet të jetë edhe interpretimi dhe unifikimi i praktikave të ndryshme që ka ndjekur KQZ duke zbatuar rastin e precendetit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 ku kandidati Tom Doshi u tërhoq nga kandidimi ditën e zgjedhjeve dhe KQZ u shpreh me vendim, një ditë pas këtij akti. A i ndryshoi KQZ në këtë rast listat shumëemërore?! A përbënte ky fakt për KQZ arsye për ta quajtur këtë veprim si ndryshim i listave shumëemërore në kundërshtim me Nenin 73/4 të Kodit Zgjedhor?!”, thuhet në kërkesën e Lapajt.

Lufta mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, nisi pasi daja i këtij të fundit Zeqir Kordhoni u pendua dhe kërkoi mandatin e deputetit. KQZ ia dha Kleana Xhuvelit, e katërta në listën e mbyllur të “Nisma Shqipëria Bëhet” duke rrëzuar kërkesën e Adriatik Lapajt që të ishte ai ligjvënësi, dhe refuzoi të njihte në bllok dorëheqjet nga lista e sigurt.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Lajmi ne perditesim...

Ora 18:32
Zeqir Kordhoni i kërkon KAS: Mos njih dorëheqjet e listës së mbyllur nga mandati i deputetit! Dyshime për vërtetësinë e tyre

Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili ishte renditur i nënti në listën e mbyllur të kolicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), shpalljen të pavlefshme të deklaratave të dorëheqjes të dhëna nga kandidatët në listën e sigurt. 

Ndonëse KQZ i dha mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt, Zeqiri që pretendonte më herët karrigen në parlament, thotë se duhet të shpallen të pavlefshme dorëheqjet nga mandati, me arsyetimin e bazuar në nënin 164 të Kodit Zgjedhor, se “një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore.”

Gjithashtu, Zeqiri pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre. Si dorëheqje të parregullt, Zeqiri quan atë të Entela Sulës, e cila është motra e Shabanit, duke thënë se dorëheqja nga mandati e mbesës së tij që ndodhej fiktivisht si kandidate në listën e mbyllur, është dorëzuar në KQZ gjatë një kohe kur ajo nuk ndodhej në Shqipëri.

“A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve”,- shkruan Zeqiri në letrën drejtuar KAS dhe KQZ.

Report Tv ka siguruar dokumentet që tregojnë se Entela Sula është përfaqësuar me prokurë nga vëllai i saj Endri Shabani, në dorëheqjen nga mandati, të dorëzuar në KQZ.

Me këtë lëvizje, duket se Zeqir Kordhoni po bën çmos që mandati të mos mbetet në llogoren e Lapajt, pasi ky i fundit e quajti Kleana Xhuvelin si "gardiane" të ulëses në parlament, derisa mandati të kalojë të lista e hapur, ku kreu i "Shqipëria Bëhet" kryeson si më i votuari. 

Më 23 korrik, KQZ nuk i pranoi në bllok dorëheqjet e depozituara më 11 maj, të të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Por pavarësisht se nuk u dogjën dot si kandidatë, Celibashi, u njohu atyre të drejtën e tërheqjes nga mandati. Nga lista ishin penduar 2 emra, Xhuveli e katërta dhe Zeqir Kordhoni i nënti, dhe kishin shprehur vullnetin për të hyrë në Kuvend. E drejta i lindi së pari kandidates të radhitur më lart në listën e mbyllur.

Ankesa e plotë e Zeqir Kordhonit:

Në cilësinë e palës së interesuar dhe në mbështetje të nenit 164, pika 1 dhe 2, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, paraqes këtë kërkesë për shqyrtim dhe vendimmarrje mbi pavlefshmërinë e deklaratave të dorëheqjes së depozituara nga disa kandidate përpara marrjes së mandatit.

Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor (“Dorëheqja nga mandati”), një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore. Çdo akt dorëheqjeje i dhënë përpara momentit të fitimit të mandatit nuk mund të prodhojë efekt juridik dhe mund të shpallet i pavlefshëm nga ana e KQZ-së dhe KAS-it.

Kam gjithashtu arsye serioze për të vënë në dyshim vërtetësinë dhe rrethanat në të cilat janë nënshkruar këto deklarata. A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve.

Në bazë të sa më sipër kërkoj:

Shpalljen e pavlefshme të të gjitha deklaratave të dorëheqjes së dhëna përpara marrjes së mandatit parlamentar, si të kundërligjshme dhe në shkelje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.

Hetimin dhe verifikimin e rrethanave të nënshkrimit të këtyre deklaratave, përfshirë datën reale të nënshkrimit, vendndodhjen e secilit person nënshkrues dhe mënyrën në të cilën janë marrë këto deklarata.

Theksoj se integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të zgjedhësve kërkon që dorëheqjet e dhëna në mënyrë të parakohshme ose të falsifikuara të shpallen të pavlefshme.

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • sos: 28/07/2025 20:47

    Adriatik u delendise fare, ik mos u duk me nw mejdan. Te tera i paske pasur mashtrime.

    Përgjigju
  • Zgjedhjet lokale: 28/07/2025 20:03

    Adriatic Lapaj te provoje ne Zgjedhjet lokale te marre ndonje bashki ne qarkun Vlore i jep hov demokracise

    Përgjigju
  • tope papagalli: 28/07/2025 15:52

    ky eshte i mbaruar!!!

    Përgjigju
  • llapa: 28/07/2025 13:48

    Sala i ri, cfare pruarje ne politike.

    Përgjigju
  • Turi: 28/07/2025 13:48

    E tregove vedin llapa qen

    Përgjigju
  • Ana: 28/07/2025 13:27

    Aman se na lodhi. Ku ndonte te drejtonte ne shtet. Cdonpolitikan qe do me hi ne fushe mendon vec si te pasurohet dhe kaq... nuk kane asnje plan dhe per popullin

    Përgjigju
  • Jim: 28/07/2025 12:27

    Ky maskarai e bente cdo gje per Shqiperine jo per vete ! Plehre

    Përgjigju
  • Biku: 28/07/2025 11:43

    Adriatik llapanjozi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?