Shifrat e ndryshme të pjesëmarrjes/ Zguri kërkon hapjen e të gjitha kutive, Biba: Të çoi SMS Gaz Bardhi /VIDEO

4 Korrik 2019, 18:06| Përditesimi: 4 Korrik 2019, 20:16

  • Share

TIRANE - Katër ditë pas zgjedhjeve të 30 ëqershorit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri kërkoi të marrë votën e anëtarëve të KQZ-së për të bërë një hetim administrativ kryesisht, lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre. Nënkryetari Denar Biba tha se është dakord me këtë propozim, por se hetimi sipas tij duhet të nisë që nga viti 2018, kohë kur u largua drejtori i IT-së së këtij institucioni dhe vendi mbeti vakant edhe sot e kësaj dite. Sipas nënkryetarit të KQZ-së ka qenë pikërisht drejtori i IT-së që ka zbuluar se sistemi që KQZ kishte për të dhënat nuk ishte i vlefshëm për zgjedhjet vendore, por vetëm për të përgjithshmet parlamentare.

Por teksa e ka hedhur në votim propozimin e tij, Zguri ka bërë ndryshime në moment të fundit duke kërkuar hapjen e të gjitha kutive për të marrë procesverbalet dhe listat për të verifikuar sa është numri i atyre që kanë votuar. Nga ana e Bibës, kjo është quajtur hedhje në erë e procesit zgjedhor, që do ta mbante peng atë me numërimin e të gjithë kutive, të një pune që e kanë bërë 90 KZAZ dhe 5489 QV. Nënkryetari i KQZ-së hodhi akuza se propozimi i Zgurit u ndryshua pas ndërhyrjes me mesazh në telefonin e Zgurit të sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi.

Ky debat nisi pasi anëtarja e KQZ-së Edlira Jorgaqi i kërkoi kryetarit të institucionit, Klement Zguri, që të japë argumentet ligjorë të kërkesës së tij. Në këto moment Zguri nisi të lexojë disa sqarime ligjore në telefonin e tij, kur Biba ndërhyri dhe tha se nenet po ja shpjegonte Gazmend Bardhi.

Kërkesa e Zgurit u rrëzua nga KQZ me 4 vota kundër dhe 1 pro, ndërsa në bazë të rendit të ditës u miratuan rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit për Bashkitë Elbasan dhe Lushnje, pa votën e Klement Zgurit, duke certifikuar kështu rezultatet e para në tre bashki të vendit të fituara konkretisht, Gentjan Llatja në Elbasan dhe Fatos Tush në Lushnje. 

Ditën e zgjedhjeve, gjatë procesit, dhe në mbyllje të tij, KQZ, përmes zëdhënëses së institucionit dha shifra paraprake të pjesëmarrjes dhe numrit të votuesve, që me numërimin e të gjitha votave, ndryshuan nga rezultati përfundimtar: 22.9 % dhe 812249 vota.

Ora 19:53
KQZ certifikon rezultatin e 30 qershorit në Elbasan dhe Lushnje

1562262898_kqz.jpg

Në bazë të rendit të ditës u miratuan rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit për dy bashki në vend. Me katër vota "pro" dhe vetëm 1 "kundër", atë të kryetarit Klement Zguri, u certifikua rezultati i zgjedhjeve në bashkinë e Elbasanit të fituar nga Gentjan Llatja dhe në Lushnje nga Fatos Tushe. Mbledhja e radhës, ku pritet të certifikohet rezultati në Bashkitë e tjera do të zhvillohet ditën e premte (nesër) në orën 13:00.

Ora 18:37
Biba-Zguri debate të forta në KQZ: Mua s'ka perëndi të më hedhë në erë jo ti...të fala Bardhit

Është shoqëruar me debate mbledhja e kësaj pasditeje në Komisionin Qendror në Zgjedhje, ku Klement Zguri në moment të fundit ka kërkuar hapjen e kutive të votimit, për të numëruar edhe një herë votat për të nxjerrë shifra të sakta të pjesëmarrjes. Kjo kërkesë u quajt nga nënkryetari Denar Biba si një mënyrë për të hedhur në erë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Në nisje të mbledhjes Zguri paraqiti para anëtarëve një propozim tjetër, por në moment të fundit, Biba tha se kryetari ndryshoi propozimin pasi i erdhi një mesazh nga Gazmend Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Zguri: Të nisë hetimi adminsitrativ duke kërkuar procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat për cdo zonë zgjedhore, në gjithë Shqipërinë.

Biba: Gjithë Shqipëria të numërohet në KQZ?

Zguri: Jo të numërohen, të kontrollohen të gjithë procesverbalet dhe listat

Biba: Ky nuk ishte propozimi i hedhur në erë, kjo është hedhje në erë e gjithë procesit zgjedhor.

Zguri: Ti nuk hidhesh në erë, mos u bëj merak

Biba: Mua s'ka perëndi të më hedhë në erë jo më ti.

Zguri: Po kush e vë në dyshim

Biba: Po të fala Gazment Bardhit.

Zguri: Kush është dakord me propozimin tim për të hapur kutitë e votimit dhe për të marrë procesverbalet dhe listat për të verifikuar sa është numri i atyre që kanë votuar? 

Anëtarët: Jo, nuk ishte kjo kërkesa, hapja e kutive është tjetër gjë.

Biba: Për të bërë hetim po, për të hedhur zgjedhjet në erë, të fala Gazit. Hetim adminsitrativ në lidhje me sjelljet që ka bërë KQZ. Përmendët disa shifra që sipas jush kanë cënuar besimin e popullit. Në bindjen time, populli e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur, edhe ata që shkuan në plazh e dinë fare mirë.

Zguri: Pse trembesh?

Biba: Më fal jemi në të njëjtën anë. Unë kam ngritur dorën bashkë me ju (për votë pro) por është tjetër gjë të hetosh pjesëmarrjen dhe tjetër të hapësh të gjitha kutitë. Këto zgjedhje nuk do mbarojnë kurrë nëse do të hapen të gjitha kutit, atë që kanë bërë 90 KZAZ dhe 5489 QV

Biba: Nuk e keni dashur kurrë këtë proces, e keni thënë që në fillim. Ti duhet ta tregosh, vazhdo shpalose deri në fund. Ti nuk doje këtë proces dhe nuk e do në as në këtë moment. Në këtë pikë cfarë do të bësh? Cdo gjë për ta sabotuar. Gjykojë në moral Klement nuk ka lidhje me nenet, nenet t'i gjen Gaz Bardhi ty. Ti në fillim këtë doje, këtë që dua edhe unë, por të erdhi një mesazh edhe ndryshove qëndrim.

Zguri: Nuk më bezdis fare, me kalimin e kohës nuk më krijon asnjë lloj gudulisje

Skënderi- Ruani etikën

Zguri: Kush e prishi etikën pse më drejtohesh mua. Unë mundohem të flas ju futeni tek fjala ime

Biba: Unë jam dakord të bëhet një hetim i brendshëm administrativ, ai që realisht nisët ju para se t'ju vinte ajo SMS-ja. Të bëhet hetim në lidhje me cdo lloj sjellje brenda KQZ, të rojës së derës që mund të ketë vënë në pikëpyetje besueshmërinë në zgjedhje, por të hapni ju gjithë kutitë, nuk ju mbështes dot. 

Ora 18:33
Anëtarja - Zgurit: Na jep argumentet ligjorë përse do të hetosh KQZ-në

Anëtarja e KQZ-së Edlira Jorgaqi i kërkoi kryetarit të institucionit, Klement Zguri, që të japë argumentet ligjorë të kërkesës së tij për të nisur hetimin administrativ mbi shifrat e ndryshme të raportuara nga KQZ në momente të ndryshme të procesit.

Edlira Jorgaqi: Kërkoj bazë ligjore se ky mbështetesh sepse të flasim në ajër mund të bllokojmë procesin. hetimin duhet ta kanalizoni qartësisht. na jepni bazën ligjore me shkrim, shkeljen që është bërë me dispozitën e kodit, dhe jam dakord me kolegun që në këtë mbledhje jemi në rolin e KZAZ të madhe dhe nuk mund të bllokojmë procesin.  

Eridjan Salianji: Kërkoni të gjithë procesverbalet e mbylljes së votimit, dhe listat e zgjedhësve, dhe jo të merreni me informacionin që jep zëdhënësja, merruni me informacionin zgjedhor që del mbasi hapen kutitë. Nëse ka këtu probleme, atëherë hajde merremi. Kjo nuk i shërben procesit pasi të gjithë informacionet kanë qenë paraprake.

Ora 18:32
Zguri: Nuk akuzoj për shifrat...por jam dyshues

Kreu i KQZ-së Klement Zguri tha se nuk nge akuza ndaj askujt për manipulime të rezultatit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit, por sipas tij është e domosdoshme të bëhet një analizë e asaj çfarë ndodhi për shkak se administrata e KQZ-së në këto zgjedhje ishte e njëanshme, pa përfaqësim të partive të ndryshme.

Zguri: Ishte një shembull për tu marrë me diferencën sepse zëdhënësja del me shifër që i jep KQZ-ja. Në fillim ishte 21.6%, pastaj 21.83%, më tej 24. 12%, dhe e fundit fare është 812249 me 22.97 %. Nga këto nuk akuzoj por them, që këto janë indicie për të kërkuar një hetim.

Edhe për një kontekst të caktuar. Nëse ju përmendi zgjedhje të tjera, mos harroni se ka pasur një administratë të balancuar me një përfaqësim me besim politik, dhe shifrat në raste të tjera nuk kanë pasur këtë mungesë besueshmërie. Në 2019-ën jemi në një administratë të përbërë të njëanshme. Unë vetëm jam dyshues kur kam shembuj të kësaj natyre.

Hajde ta çojmë historinë bashkë deri në fund. Hajde të rrisim edhe besueshmërinë.  

Ora 18:19
Debati për shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje nxjerr në pah një mangësi në KQZ: Prej vitit 2018 nuk ka drejtor IT-je

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, tha se është dakord me propozimin e kryetarit Klement Zguri për të nisur një hetim administrativ nisur nga shifrat e ndryshme të pjesëmarrjes në votimet e30 qershorit, që u raportuan nga KQZ gjatë ditës së votimeve dhe në mbyllje të tyre. Por Biba tha se në të gjitha deklaratat e KQZ-së përmes zëdhënëses, është theksuar që raportimet janë paraprake dhe jo zyrtare. Ai tha së njëjtë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku deklarimet kanë qenë të ndryshme gjatë ditës, për shkak se janë bërë publike nga informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuara.

Ky debat shërbeu që të dalë në pah mungesa e një drejtori IT në KQZ. Biba tha se me largimin e drejtorit të IT-së në vitin 2018, vendi i tij nuk është zëvendësuar akoma deri më tani.Sipas nënkryetarit të KQZ-së ka qenë pikërisht drejtori i IT-së që ka zbuluar se sistemi që KQZ kishte nuk ishte i vlefshëm për zgjedhjet vendore, por vetëm për të përgjithshmet parlamentare.

Biba: Pjesëmarrja u vendos në fokus, dhe jo më rezultati. Pjesëmarrja për arsye nga më të kuptueshmet, sepse opozita politike shqiptare e shndërroi në kalin e vet të betejës pjesëmarrjen duke bërë thirrje për bojkot. Ata e dinë mirë kush i votoi e kush jo. E gjithë kjo skenë është e gjitha pjesë e një teatri me një synim të vetëm, për të delegjitimuar këto zgjedhje, të cilat njëra palë nuk i pranoi, tjetra i pranoi. Unë kam qenë pjesë e shumicës së këtij komisioni dhe me një bindje personale të karakterit gati historik, më ka bërë të ndihem pjesë e një historie të vogël, tw vendosjes së një guri themeli në përpjekjet e këtij populli për instalimin e shtetit të së drejtës.

Këto zgjedhje nuk ishin maja e diamantit të demokracisë shqiptare. Kjo që kemi është një demokraci surrogato, nuk është e krahasueshme me atë gjermane, amerikane, italiane që ne i aspirojmë, por që jemi shumë larg. Ne akoma nuk kemi një bashkësi rregullash që të gjithë t'i respektojmë, dhe kur thuhet data 30 të jenë të gjitha palët në garë. Demokracia është zgjedhjet.

Rezultatet në mënyrë konstante janë thënë që janë paraprake. Edhe në zgjedhjet e 2017-ës, në orën 20:00 rezultati i deklaruar nga KQZ 1 milionë e 1 e ca mijë. Ndërkohë ka deklaruar 1 milionë e 6 qind e ca mijë. A i bëri kjo ato zgjedhje të pavlefshme? Jo.

Zoti Zguri kërkon një hetim, unë personalisht jam pro. Hetimi të fillojë që në vitin 2018 kur u largua drejtori i IT-së së këtij institucioni dhe mbeti vendi vakant. dhe nuk e di pse nuk u mbush ky vend. Që në moment që ai drejtori tha, programi software i 2017 nuk është i përshtatshëm për klokalet vetëm për kombëtaret, duhet program i ri. Disa problematika nuk janë vetëm të KQZ. Le të bëhet ky hetim dhe të dalë gjithçka.

Ora 18:11
Zguri hedh propozimin në tryezë: Hetim admisnitrativ KQZ-së për shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri i kërkoi kolegëve të tij anëtarë në KQZ, të votojnë një propozim të tijin për një hetim administrativ të nisur kryesisht lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre.

Zguri: Kërkova që KQZ të kishte hetim administrativ kryesisht. Për të mbështetur propozimin tim, do të nisem nga disa fakte që janë bërë publike dhe kanë krijuar problemin në fjalë.

Kemi deklaratën e orës 11:00 të KQZ ku thuhet pjesëmarrja në votime 12%

Ndërkohë këtu kam tabelat në faqen e KQZ, ora 11:00 kur deklarata thoshte 12%, në tabelën është 6.19 %, gati gjysmë për gjysmë

Kur unë këtu jam i paqartë mendo sa i paqartë është publike. I kemi detyrim qytetarëve për transparencë në procesin zgjedhor

Në deklaratën para mediave të dielën, deklarova që KQZ do duhet të ndërmerrte një hetim administrativ kryesisht duke i bërë thirrje kolegëve të mi. Kjo që po kërkoj ndihmon kryesisht në rritjen e transparencën dhe në risjelljen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Propozimin e kam në tavolinë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri i kërkoi kolegëve të tij anëtarë në KQZ, të votojnë një propozim të tijin për një hetim administrativ të nisur kryesisht lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ,,,: 05/07/2019 09:47

    Nga doli ky guri ai u largua nga komisjoni i ngjan ristanit qe manipuloi dhe i dha fitoren lulit

    Përgjigju
  • roni: 04/07/2019 19:10

    Ska faj Zguri e ka Edi Rama qe e la me pa te drejte kryetar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?