Përfundon kryqëzimi i të dhënave të pajisjeve PEI të përdorur për identifikimin e votuesve përmes shenjave të gishtave dhe kartave të identitetit gjatë votimit të 11 majit. Kryqëzimi i të dhënave të regjistruara u krye në të gjitha qendrat votimit në shkallë vendi, pas ankimimeve dhe pretendimeve të PD-ADSHM për votime të duplikuara.
Sipas informacionit nga ana e KQZ-së, rezulton se vetëm në 43 raste është përdorur ID e njëjtë, ndersa shenja gishti të njëjta janë në total 1798. Por kjo nuk do të thotë se automatikisht ka pasur votim të shumëfishtë.
Mund të kenë qenë edhe tentativa të ripërsëritura për identifikim ose probleme teknike gjatë vendosjes së gishtit dhe kryerjes së procesit, por të suksesshme ose jo, nuk del nga raporti i KQZ. Në çdo rast numri i dublimeve është i papërfillshëm mbi totalin e 1.607.347 votimeve të regjistruara.
Korça është qarku me numrin më të lartë ku rezultojnë shenja gishti të njëjta me 531, gati 1/3 e totalit, ndiqet nga Shkodra me 275, Kukës 146, Fieri me 140, Durrësi me 139 shenja gishti të njëjta,Tirana 116 e kështu me radhë sipas tabelës më poshtë.
Rastet e ID të njëjta janë më të pakëta në qarqet e tjera, ku pas Tiranës me 12 raste, vjen Shkodra me 8.
Një fenomen i ngjashëm u regjistrua edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe zgjedhjet e vitit 2023, por edhe atëherë me shifra të papërfillshme.
Komente
