Selia e Partisë Demokratike dhe kërkesa e PD

Politikë

KQZ po certifikon 11 majin, PD me 5 kërkesa: Duam dokumentacionet edhe për Peqinin, na i vini në dispozicion sipas qarqeve! (DOKUMENTI)

23 Maj, 22:42| Përditesimi: 24 Maj, 03:27

  • Share

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej dy ditësh po certifikon rezultatin e 11 majit me tabelat përmbledhëse (ka miratuar 8 dhe janë në proces 4 të fundit), Partia Demokratike nuk tërhiqet nga e saja duke kontestuar.

Së fundmi PD-ADSHM i janë drejtuar KQZ-së me një kërkesë zyrtare në 5 pika, ku kërkon konkretisht që t’i dërgojë informacion në lidhje me qarqet ku është certifikuar rezultati.

PD ka ngritur pretendime të shumta, por deri tani pa ndonjë provë konkrete si rasti me ‘trenin bullgar’, se votat u blenë apo manipuluan. Aktualisht ajo kërkon të dhënat për zarfet e diasporës dhe procedurat e dorëzimit nga kompania postare, procesverbalet për çdo qendër votimi apo KZAZ, dokumente dhe raporte apo regjistra.

“Subjekti zgjedhor, koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM), për efekt të ushtrimit efektiv të së drejtës së ankimit të saj, ndaj vendimeve tuaja për miratimin e tabelave të rezultateve të miratuara nga ana juaj, kërkon nga KQZ – për secilin Qark që KQZ ka miratuar rezultatet – vënien urgjentisht në dispozicion të provave”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e PD.

Gjithashtu PD ka bërë kërkesë në KQZ edhe për rastin e Peqinit, ku PD pretendon se kapi 10 fletë votimi nëpërmjet të cilave akuzon se është aplikuar 'treni bullgar' nga një lokal fshati në këtë zonë dhe që sipas Policisë rezultuan se ishin fletë të rreme. PD shprehet në kërkesën e dorëzuar nga Franc Nuri se do një ekspertizë shtesë mbi ato fletë.

PD kërkon nga KQZ:
1) Raporti i kryqëzimit të të dhënave te PEI për të gjitha Qendrat e Votimit në secilin Qark -Zonë Zgjedhore.
2) Dokumenti i shkruar dhe/ose Regjistri i nënshkruar personalisht nga çdo zgjedhës në Diasporë, që vërteton marrjen personalisht të zarfit me materialet zgjedhore nga secili zgjedhës në adresën e regjistruar nga ky i fundit në KQZ (Ose, në të kundërt, dokumentacionin që vërteton se zarfi, i cili nuk është dorëzuar personalisht tek zgjedhësi,është kthyer nga DHL pranë KQZ-së)
3) Raportin e Audituesit Teknicien lidhur me problematikën e listave të zgjedhësve në secilin Qark - Zonë Zgjedhore.
4) Kopje e te gjitha Regjistrave të Posaçëm e çdo QV në secilin Qark - Zonë Zgjedhore.
5) Kopje e të gjitha Proces-Verbaleve në çdo QV dhe për secilën KZAZ, në secilin Qark - Zonë Zgjedhore.

 

 

(Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote) 

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?