Tirane- Ding-dongu i KQZ ra. Votimi elektronik nuk mund të realizohet në 5 qarqe të vendit. Përballë indiferencës së politikës, e cila me të mbyllur ndryshimet në Kodin elektoral për listat, nuk flet më për Reformë Zgjedhore, KQZ njoftoi përmes një letre partitë politike se nuk ka më kohë për ta shtrirë votimin elektronik në të paktën 5 qarqe.
“Kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet. Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknikë dhe njerëzorë për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh.”
Megjithatë, përballë presionit të kohës dhe ambicies për të çuar para votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 2025, KQZ sugjeron që të implementohet në Durrës e Elbasan. Arsyet, i shpjegon në letër:
Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi. Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), shkruhet në letrën e KQZ-së.
KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim. Ndaj kërkon që ata ta përcjellin mendimin e tyre pranë KQZ, jo më vonë se data 19 Tetor 2024.
Në fund të sesionit të shkuar parlamentar, Damian Gjiknuri i socialistëve deklaroi se qeveria i ka gati paratë për të shtrirë në 5 qarqe votimin dhe numërimin elektronik, por palët nuk avancuan për këtë çështje në Grupin e Dialogut, i cili pas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në fund të korrikut, nuk u mblodh më.
Letra e KQZ-së 11 tetor 2024
"Në vijim të komunikimeve të mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t'ju sjellë në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet.
Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh.
Gjithsesi duke vlerësuar interesin dhe dobinë për shtrirjen graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Durrësit.
Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. Ndaj nëse nga ana juaj vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi.
Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik.
Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik.
KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim. Ndaj jeni të lutur ta përcillni atë pranë KQZ, jo më vonë se data 19 Tetor 2024.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Letra e KQZ
Vendos vete o zoteri,se atyre qe i madhi Noli i quante /Derbedere,mercenare,bejlere/nuk u vjen zeri,se duan te shijne si te duan e te rrine ne politike e ne pushtet deri sa te ngordhin!
PërgjigjuPse duhet vulneti i partive politike për të realizuar votimin elektronik....
Përgjigju