Lëvizja ‘Bashkë’ ka depozituar në ankesë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve sa i takon rrëzimit të kërkesës së tyre për regjistrimin si subjekt politike garues në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gjatë seancës së organizuar në 9 mars nga Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, kreu i këtij institucioni bëri me dije se kërkesa e kësaj partie nuk pranohej për shkak se vendimi i gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për regjistrimin e ‘Lëvizjes Bashkë’ në regjistrin e partive politike, nuk është përfundimtar.
Në ankesën e dorëzuar në KAS, ‘Lëvizja Bashkë’ argumenton se pranimi i kërkesës për regjistrimin në regjistrin e partive politike është bërë në datën 2 mars të këtij viti dhe se asnjë prej 3500 nënshkruesve për formimin e kësaj force politike, nuk ka bërë asnjë reagim publik ndaj këtij vendimi.
Më tej në ankesë thuhet se mosregjistrimi i kësaj partie në zgjedhje do të ishte një goditje e rëndë ndaj organizimit të qytetarëve dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Kreu i kësaj lëvizje, Arlind Qori tha se argumenti që dha Celibashi për mospranimin e kërkesës së tyre, është i papranueshëm, për shkak se pavarësisht dërgimit të vendimit të gjykatës që në datën 6 mars, KQZ kërkon vendimin e formës së prerë që pritet të dalë në 17 mars.
Mes vendimeve të marra nga Celibashi në të njëjtën mbledhje, ishte edhe mospranimi i kërkesës së Berishës për të regjistruar në zgjedhje kandidatët e Rithemelimit nën siglën e PD-së. Po ashtu u refuzua edhe kërkesa e Alibeajt për regjistrimin nën logon e PD-së zyrtare, me argumentin se mungonte një dokument i rëndësishëm për të cilin duhej firma e kryetarit të partisë, i cili ligjërisht rezulton të jetë Lulzim Basha.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)