Kreditë me probleme në vend vijojnë të ulen, duke ecur kundër parashikimeve të bëra nga Banka e Shqipërisë, e cila priste rritje të tyre si pasojë e pandemisë COVID-19.
Në prill të këtij viti kredia e keqe zbriti në nivelin më të ulët historik që prej vitit 2014. Banka qendrore raporton se niveli i tyre ishte 7.88% në fund të prillit nga 8.21% që ishte në të njëjtin muaj të vitit që shkoi.
Ndërkohë rënia me 3.5% krahasuar me të dhënat për vitin 2019 kur nuk flitej për pandemi. Në prill të 2019 niveli i kredive me probleme ishte 11.38%. Aktualisht huaja e keqe vlerësohet të jetë mbi 48.4 miliardë lekë, ndërsa totali i kredisë deri në fund të prillit arriti në 615,3 miliardë lekë.
Që në nisje të pandemisë, ku banka u detyrua të shtyj këstet e kredive për bizneset e qytetarët në vështirësi, shqetësimi kryesor ishte se do të rriten kreditë me probleme për shkak të rënies së fuqisë paguese nga klientët bankar. Por realisht në vitin që shkoi kreditë e këqija u rritën me vetëm 1.5 miliardë lekë dhe rritja më e lartë u konstatua në muajin shtator 2020 me 8.3%.
Prilli është muaji i parë pa masat lehtësuese në fuqi të Bankës së Shqipërisë, pasi mundësia për riskedulimin e kësteve të kredisë për ata klientë që kishin vështirësi financiare përfundoi në muajin mars. Por ulja e kredive me probleme edhe në prill pa masat lehtësuese tregon se klientët nuk kanë vështirësi për të paguar këstet e tyre, përpos pandemisë COVID-19 që vijon, dhe pasiguritë për të ardhmen janë prezente.