Foto ilustruese

Kredia konsumatore u rrit me 30% për tremujorin e parë të këtij viti

28 Maj, 07:37| Përditesimi: 28 Maj, 07:39

  • Share

Kredia konsumatore e ka nisur me rritje vitin 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit, kredia e re për konsum e dhënë nga sektori bankar arriti vlerën e 9.1 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera totale e portofolit të kredisë konsumatore në fund të muajit mars kishte vlerën e 72.2 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 17%. Rritja e kredisë konsumatore është një tregues i mëtejshëm i një ecurie pozitive të kreditimit të individëve, e mbështetur nga tendenca e mirë e ekonomisë dhe nga normat relativisht të ulëta të interesit, krahasuar me ekonomitë e tjera.

Edhe sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan disi vetëm në kreditë konsumatore në tremujorin e parë. Lehtësimi i kushteve e termave të kreditimit u arrit në sajë të

shtimit të madhësisë së kredisë dhe zgjatjes së maturitetit të kredisë vetëm në kreditë akorduar me qëllim financimin e konsumit. Edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si në financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave.

Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij. Për këtë arsye, ecuria e kredisë konsumatore mund të jetë një indikator për përmirësimin e tendencave të konsumit privat në ekonomi.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, rritja ekonomike mesatare e konsumit privat të popullatës vitin e kaluar ishte rreth 2.7%. Rritja e konsumit ishte më e ulët se rritja mesatare e PBB-së. Pavarësisht shifrave rekord të turistëve të huaj, ndikimi i sektorit turistik në konsumin e përgjithshëm duket të ketë qenë i kufizuar. Megjithatë, një pjesë e analistëve mendojnë se pjesërisht kjo mund të lidhet me shkallën e lartë të informalitetit në sektorin e turizmit.

Ndërkohë, në segmentin kryesor të kredisë për individë, atë që financon blerjen e banesave, rritja po vazhdon edhe në pjesën e parë të këtij viti. Shifrat tregojnë se për tre muajt e parë të vitit, sektori bankar disbursoi gjithsej 13 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash, në rritje me 6.5% krahasuar me një vit më parë.

Në përgjithësi, statistikat e Bankës së Shqipërisë po tregojnë një rritje me ritme të shpejta të kreditimit për ekonominë gjatë pjesës së parë të këtij viti. Për të gjithë tremujorin e parë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 82.8 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për tremujorin e parë të vitit pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?