Kreditë e këqija shkojnë në nivelin më të ulët historik, Banka e Shqipërisë: Në janar zbritën 5.4%

10 Mars 2022, 17:35| Përditesimi: 10 Mars 2022, 17:42

  • Share

Viti 2022 ka nisur me përmirësim të portofolit të kredisë, pasi kreditë me probleme ka vijuar të ulen në raport me totalin e kredisë që është dhënë për konsumatorët dhe bizneset në vend.

Banka e Shqipërisë raporton se kreditë me probleme në muajin janar zbritën në nivelin më të ulët historik prej 5.45%, nga 5.65% që ishte totali i huave të këqija në fund të vitit 2021.

Në raport me janarin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë ulur me 2.8%, pasi në fillim të 2021 niveli ishte në 8.15%.

Ky reduktim i vazhdueshëm i huave të këqija dëshmon për përmirësim të aftësisë paguese të bizneseve dhe qytetarëve. Ndikim në këtë rikuperim të gjendjes financiare ka dhënë edhe situata e mirë ekonomike, pasi për vitin 2021 pritet që rritja ekonomike të konkludohet në 8.7%.

Krahas rritjes ekonomike, Banka e Shqipërisë raporton edhe për lehtësim të kushteve të kreditimit e nga ana tjetër është dhënë më shumë kredi për sektorin privat e për qytetarët.

Në total në fund të muajin janar 2022 portofoli i kredisë së dhënë arriti në 664,671 miliardë lekë, duke u rritur 58.388 miliardë lekë në raport me të njëjtin muaj të 2021-shit. Nga i gjithë totali i kredisë dhënë për ekonominë, vetëm 36,224 miliardë klasifikohen si hua me probleme.

Ndikim në këtë rënie kanë dhënë edhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në vitin 2020, të cila u dhanë mundësinë bankave të nivelit të dytë që të rishikonin kushtet e kredive për klientët që kishin vështirësi financiare, në mënyrë që ta kishin më të lehtë shlyerjen e tyre.

KREDITË ME PROBLEME

Janar 2022            5.45%

Janar 2021            8.15%

Diferenca                -2.8%

TOTALI I KREDISË SË DHËNË

Janar 2022          664,671

Janar 2021          606,283

Diferenca           +58.388

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?