Të gjitha kreditë e ristrukturuara në vitin e kaluar si pasojë e masave të ndërmarra në kuadër të pandemisë, do të jenë nën monitorim nga Banka e Shqipërisë si dhe nga bankat tregtare me qëllim shmangien e rritjes së kredive me probleme.
Nga ana tjetër ristrukturimet e kredive dhe masat e ndërmarra nga banka qendrore kanë mbajtur në nivel të ulët kredinë me probleme, pasi viti i kaluar u mbyll me një nivel prej 8.1%, ndërkohë që këtë vit aktualisht kredia e keqe luhatet në 7.8%.
Por përpos kësaj rënie Drejtuesit e Mbikëqyrjes Financiare në bankë thonë se kredia e keqe këtë vit mund të arrijë në 10%, pasi pasojat negative të pandemisë nuk janë kapërcyer plotësisht. Sipas tyre edhe pse situata është nën kontroll, kriza si kjo që shkaktoi virusi mund të japin efekte deri në 2 vite më vonë.
Ndërsa në nisje të karantinës parashikimet e bankës ishin për një rritje të kredisë me probleme deri në nivelin e 15%, por që një rritje kaq e madhe u shmang pasi vendi nuk hyri në një karantinë të dytë, që do të përkeqësonte edhe aftësinë paguese të klientëve.
Ndërkohë në raportin vjetor të Mbikëqyrjes Financiare, thuhet se bankat e kanë përballuar me sukses krizën e pandemisë, nuk kanë ndaluar kreditimin e ekonomisë, pasi portofoli i kredisë në 2020 u rrite me mbi 6%, dhe ato janë likuide.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë vetëm në 5 muajit e parë të këtij vitit kredia e re e dhënë për bizneset e individët është më shumë se 84 miliardë lekë, me një rritje prej 15.6%.