Emigrimi dhe braktisja e vendit nga të rinjtë dhe forca punëtore është një plagë thuajse në të gjithë vendet e Ballkanit, e sigurisht edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.
Rasti i fshatit maqedonas të Sllupkovës, ku për shkak të braktisjes ka mbetur vetëm Rexha që kujdeset për gjithcka është kthyer në frymëzim për regjisorin Ibër Deari i cili ka sjellë si personazh në filmin e tij. “Krejt e thirrin Rexhën” pas premierës në Shkup dhe në Prishtinë, mbrëmjen e së premtes erdhi në Tiranë.
“Ky është filmi im i parë me metrazh të gjatë, që ka pasur premierën në Shkup e Prishtinë e vijon në Tiranë. Është kënaqësi të jem në Tiranë se është ky trekëndëshi ku të gjithë flasim gjuhën shqipe, të gjithë jemi shqiptarë. Rrëfimi flet për shumë mjeshtër që kanë emigruar dhe ka mbetur vetëm një, të gjithë e thërrasin Rexhën. Pastaj kudo ku shkon, ai na tregon rrëfime për ngjarjet që ndodhin në këto shtëpi.”, - thotë për "Report TV", regjisori Ibër Deari.
Ndërsa Artin Selmani, i cili është një nga skenaristët e filmit bashkë me Ibër Dearin thekson se tema "është ikja masive e njerëzve nga trojet rurale".
"Në përgjithësi te ne, është një fenomen që është trend viteve të fundit. Nuk di pse ndodh që nuk mundemi të organizohemi në një shoqëri në të cilën mund të jetojmë rehat. Prandaj dhe Rexha ka probleme shumë të thjeshta, kërkon një jetë shumë normale, por aq është devalvuar (zhvlerësuar) shoqëria, saqë nuk mund të ketë një jetë normale bashkë me familjen.”, - vëren Selmani.
Pjesë e filmit janë aktorë të njohur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Arben Karaga, Adrian Aziri etj., ndërsa nuk ka pasur aktorë apo bashkëproduksion me Shqipërinë.
Megjithatë, regjisori vëren se filmi, që në fazat e para të tij, ka gjetur mbështetje nga “Balkan Film Market” në Shqipëri. Ai shpreson që mes dy vendeve të ketë më tepër bashkëpunime.
“Aktorë shqiptarë nuk kam pasur pr shkak të dialektit, por kam pasur mbështetje shumë të madhe nga shumë kolegë, që dua t’i përmend: Andamion Murataj, Majlinda Tafa, Ilir Butka, të cilët më kanë përkrahur vazhdimisht që të realizoj këtë film. Shpresoj t’u pëlqejë filmi dhe të vazhdojmë edhe vitet e tjera, për arsye se kur filloi ky film ka qenë koha e pandemisë dhe ka qenë shumë vështirë të kërkojmë ko-produksione.”, - vijon Deari.
Aktori nga Kosova Afrim Muçaj, i njohur për një sërë rolesh edhe nga publiku shqiptar, këtë radhë mishëron Rexhën. Ai tregon se ajo çfarë e tërhoqi së pari në këtë film ishte skenari.
“Është kënaqësi gjtihmonë të jem në këto lloj premierash, për t’u parë puna e bërë me mund e me shumë dashni. Ka qenë angazhim shumë i madh imi personalisht, por falë bashkëpunimit me regjisorin dhe gjithë stafin besoj se kemi arritur të bëjmë punë të mirë. Padyshim skenari është gjëja kryesore që më ka tërhequr. Është një rol që për mua ka qenë thuajse jetësor. Deri më tani kam bërë thuajse 20 filma, por është një hapësirë e madhe që më jepet te ky rol. Gëzim, rrëzim, ngritje, vaj, të qeshura, dashuri e urrejtje- të gjitha emocionet janë përfshirë në këtë rol.”, - shpjegon Muçaj.
Ledion Mulaku është aktori më i vogël në film e që interpreton Nikun, djalin e Rexhës.
“Për mua është hera e tretë që marr pjesë nëpër filma. Këtu kam një rol protagonist kurse në dy të tjerët, me regji të Drilon Hoxhës kam role episodike. Jam zgjedhur me anë të kastingut. Gjatë xhirimeve kam kaluar shumë mirë dhe më është përshtatur shumë Niku me jetën reale.”, - thotë Mulaku.
“Krejt e thirrin Rexhën” është një film me përzierje të zhanrit të komedisë dhe dramës. Filmi është pritur shumë mirë dhe është vlerësuar me nota pozitive dhe si i arrirë nga profesionistët e fushës së filmit dhe publiku i pranishëm gjatë natës së premierës në Tiranë. Ai është filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisorit Ibër Deari dhe do të vijojë të shfaqet për disa ditë në kinema “Cineplexx” në Tiranë, në Shkup dhe në Prishtinë.