Kremlini deklaroi të mërkurën se garancitë e sigurisë që Perëndimi po planifikon t'i ofrojë Ukrainës do të ishin një gabim i rrezikshëm që do të cënonte sigurinë e vetë Rusisë dhe do ta ekspozonte Evropën ndaj rreziqeve më të mëdha për vitet në vijim.
Vendet e G7 pritet të shpallin të mërkurën një strukturë ndërkombëtare që do të hapë rrugën për garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën për të rritur mbrojtjen e saj kundër Rusisë dhe për të penguar agresionin e ardhshëm, kështu deklaruan zyrtarët.
Rusia e cila është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, deklaroi se garantimi i sigurisë së saj përballë asaj që e konsideron si një aleancë ushtarake perëndimore e cila është gjithnjë në zgjerim, ishte një nga arsyet kryesore se pse ajo vitin e kaluar nisi atë që ajo e quan "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë. Kievi deklaroi se i duhet e gjithë ndihma e mundshme nga Perëndimi për të kundërshtuar atë që e konsideron si një luftë brutale pushtuese.
Duke komentuar garancitë e propozuara të sigurisë për Kievin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha ata e konsiderojnë këtë gjë si të gabuar dhe shumë të rrezikshme.
"Ne e konsiderojmë këtë si të gabuar dhe potencialisht shumë të rrezikshme. Sepse duke ofruar çdo lloj garancie sigurie për Ukrainën, këto vende do të injoronin parimin ndërkombëtar mbi pandashmërinë e sigurisë. Duke i dhënë garanci Ukrainës, ato do të cënonin sigurinë e Federatës Ruse”, u tha Peskov gazetarëve.
Peskov shtoi se ishte e pamundur për Moskën të toleronte çdo gjë që kërcënonte sigurinë e saj, dhe se ai shpresonte që politikanët në Perëndim të kuptonin rreziqet që lidhen me sigurimin e Ukrainës me garanci të tilla, një veprim që ai tha se do të kishte "pasoja shumë negative".
"Duke marrë një vendim të tillë, këto vende do ta bëjnë Evropën shumë më të rrezikshme për shumë vite në vijim. Dhe sigurisht që do të na bëjnë një shërbim të keq, diçka që ne do ta kemi parasysh”, deklaroi Peskov.
Lajmi kryesor:
Samiti në Vilnius/ Biden: Ukraina do të jetë në NATO! Zelensky: Garancitë e G7 janë një fitore e rëndësishme
S.S/ReportTv.al