Arqipeshkivi i Shkodrës, Angelo Masafra ka uruar nga qendra e rehabilitimit, ku po merr veten pasi fitoi betejën me COVID. Ai thotë se Pashkët nuk janë përfundimi i Kreshmëve. Masafra falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë betejës me COVID, ndërsa i kërkon besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe për të gjithë të sëmurët.
Mesazhi i plotë i Arqipeshkivit të Shkodrës
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjatë tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme. Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.
Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen. Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë.
Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do tu kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);
- Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës; - Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar; - Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes.
Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.
- Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);
- Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (...) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );
- Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b); - Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1). Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vashdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta.
Lajmi kryesor:
Festime të veçanta në pandemi dhe 'orë policore', besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët: Lutjet tona shkojnë për të intubuarit me COVID-19
B.K./ReportTv.al