Sociale

Kremtohet 25-vjetori meshtarak i ipeshkvit Monsinior Simon Kulli, një prej priftërinjve të parë pas diktaturës

28 Qershor, 20:01| Përditesimi: 28 Qershor, 20:05

  • Share

Autoritetet më të larta kishtare në Shqipëri dhe rajon u mblodhën sot në dioqezën e Sapës për të kremtuar 25-vjetorin meshtarak të ipeshkvit Monsinior Simon Kulli një prej pesë priftërinjve të parë shqiptarë të shuguruar pas periudhës së diktaturës komuniste.

Në meshën e shenjtë të mbajtur me këtë rast, morën pjesë qindra besimtarë nga zona veriore, përfaqësues të klerit nga mbarë vendi si dhe figura të rëndësishme të hierarkisë katolike në rajon.

Mes tyre ishin ipeshkvi i Kosovës, Monsinior Dodë Gjergji, dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Monsinior Gjergj Meta, të cilët uruan vëllain e tyre në shërbesë për këtë përvjetor jubilar.

Më tej, lutjet për Monsinior Kullin u udhëhoqën nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Monsinior Arjan Doda, i cili shprehu mirënjohje për shërbimin e palodhur të ipeshkvit të Sapës.

Në fjalën e tij, Monsinior Kulli falënderoi Zotin për thirrjen dhe përgjegjësinë që mban si shërbëtor i Kishës dhe i popullit të Zotit.

Monsinior Kulli njihet si një ndër figurat më të përkushtuara të Kishës Katolike në shërbim të të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve. Në sfidat e kohës, ai ka vënë theksin tek nevoja për forcimin e familjes dhe ndalimin e emigrimit masiv të të rinjve shqiptarë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I nxehti ekstrem, duhet të marrë masa Shqipëria për të mbrojtur qytetarët?