Sot në mbarë vendin është festuar Kurban Bajrami. Për nënkryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, kjo festë simbolizon sakrificën dhe përkushtimin ndaj Zotit.
I ftuar ditën e sotme në emisionin 'Sot Live në Shqipëri', në Report Tv ai tha se në këtë ditë duhet që të bëhet flijimi i kafshe për Zotin.
'Kurban Bajrami është një nga dy festat më të rëndësishme të besimit islam dhe përkon me ritualin e madh të Haxhit, i cili zhvillohet në Mekë. Kjo ditë e shenjtë është gjithashtu një trashëgimi e Profetit Ibrahim, i njohur si “babai i të gjithë profetëve”, figura që bashkon të gjitha fetë monoteiste: islamin, krishterimin dhe judaizmin.
E njohur ndryshe si Festa e Flijimit, Kurban Bajrami ka në thelb sakrificën për Zotin. Fjala "kurban" do të thotë "të flijosh diçka të çmuar për hir të Zotit". Sipas traditës, Zoti e vuri në provë besimin e Ibrahimit duke i kërkuar të flijonte djalin e tij. Por, në momentin e fundit, sakrifica u zëvendësua me një kafshë, duke treguar mëshirën dhe mëdhinë e Zotit', tha ai.
Bica tha se kjo ditë e shenjtë nuk është vetëm një rit fetar, por një moment ku besimtarët tregojnë dhe ndajnë mirësi me të gjithë, veçanërisht me ata që janë në nevojë
'Kurban Bajrami është një nga festat më të mëdha për myslimanët, e cila festohet në çdo shtëpi besimtari. Kjo ditë nuk është vetëm një rit fetar, por edhe një ditë solidariteti me të gjitha shtresat në nevojë. Kafsha që theret për kurban ndahet në tre pjesë: një pjesë për familjen dhe fëmijët, një pjesë për të afërmit dhe komshinjtë, dhe pjesa e tretë u shpërndahet njerëzve në nevojë.
Simbolika e tryezës së Kurbanit është mishi i kurbanit, ndërsa pjesa tjetër e shtrimit dhe mënyra e festimit varen nga traditat e çdo vendi apo familjeje. Kur festat dhe gëzimet ndahen me të tjerët, ato shtohen. Dhe kur ne shtojmë këtë gëzim te të tjerët, gëzojmë edhe vetë. Në këtë ditë, kreu i KMSH-së mbajti lutjen në shesh, duke u lutur për të gjithë ata që ndodhen në vështirësi. Në kohët që po jetojmë, të mbushura me trazira dhe sfida, kjo festë vjen si një thirrje për më shumë mirësi, bashkim dhe dashuri njerëzore', tha ai.
Komente
