TIRANË - Edhe pse nuk ka përfunduar plotësisht rindërtimi nga themelet, kisha e Shën Prokopit në kodrat e liqenit artificial të Tiranës ka hapur dyert për festën e shenjtorit mbrojtës të kryeqytetit. Shërbesa e Shenjtë u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani; në bashkëmeshim me Imzot Nathanailin; Episkopin e Krujës, Anastasin; si dhe klerikë nga kryepiskopata.
Kremtimi i Shenjtit nisi të hënën në mbrëmje, me Mbrëmësoren e posaçme në kujtim të Shën Prokopit, ku qindra besimtarë orthodhoksë morën pjesë në kremtime. E marta në orët e para të mëngjesit i pa besimtarët sërish në kishë për Shërbesën e Shenjtë, ku me himne dhe lutje u kujtua Shën Prokopi, shenjti mbrojtës i qytetit të Tiranës.
Pasi foli për jetën dhe mrekullitë e Shenjtit, kryepiskopi Joan kujtoi edhe kryepiskopin e lumur, Anastasin, pasi ishte ky i fundit që siguroi fondet për rindërtimin dhe kthimin në identitet të kishës simbol të Tiranës.
Historia e kishës së "Shën Prokopit" në Tiranë
E përuruar në vitin 1945 për të zëvendësuar kishën e shek. XVII që u prish nga ndërtimi i Bulevardit kryesor, kisha e Shën Prokopit, që ngrihej në kodrat e parkut të Liqenit, u shkatërrua nga regjimi komunist. Jo vetëm kaq, por ajo u tjetërsua, u prish pjesërisht dhe u kthye në bar-restorant, deri në fillim të viteve ’90. Pavarësisht rënies së komunizmit, mendësia që ai sistem kishte ngulitur nuk çrrënjosej lehtë. Kështu, shteti nuk pranonte që të kthehej kisha. U deshën protesta të shumta të besimtarëve, këmbëngulja e komunitetit orthodhoks, që ajo t’i kthehej besimtarëve. Duke mos pasur leje për ta rindërtuar, u bë një rikonstruksion i strukturës së mbetur, që u kthye në kishë. Por, dëshira e vazhdueshme ishte që kisha të rindërtohej.
Jeta e martir Prokopit
Shën Prokopi, që në botë njihej me emrin Neania, lindi në Antioki (Hatay, Antakya - Turqi e sotme) në fund të shekullit të III pas Krishtit, në një familje të shquar me prindër paganë. I ati, njeri i urtë dhe i drejtë, pasi njohu Perëndinë, u pagëzua i krishterë me emrin Kristofor. Ndërsa e ëma (Theodhosia më pas), mbeti pagane dhe me vdekjen e të atit, Neania ishte nën kujdesin e saj.
Kështu, Neania u rrit dhe u edukua larg dritës së Krishtit. Me ndërhyrjet e së ëmës, u emërua qeveritar në Aleksandri (mbretërimi i Dioklicianit), ku ishte urdhëruar të përndiqte pa mëshirë të krishterët. Mirëpo, i ndriçuar me besim Shën Prokopi (do të thotë 'do përparosh në virtyte') ndoqi udhën e besimit.
Ai shkoi në Aleksandri, por, në vend që t’i përndiqte të krishterët, u jepte fshehurazi tërë ndihmën e mundshme dhe prej dorës së episkopit të tyre mori pagëzimin, me emrin Prokop. Më pas dha dorëheqjen e u kthye në Antioki.
Ai atje ktheu shumë familje në të krishtera dhe qeveritarët e morën Prokopin e ri dhe e torturuan në mënyrën më çnjerëzore. Ai qëndroi i fortë dhe dëshmoi një forcë të madhe dhe shërim me hirin e Zotit, duke kthyer edhe ushtarët e tij në besim, si edhe të ëmën që dëshmoi besimin, duke u quajtur Theodhosia.
Pasi pa këto mrekulli, guvernatori Flaviani udhërori që Prokopit t'i pritej koka. Më parë Shenjtori tha: “Shkojmë, o qeveritar. Perëndia ynë bën çudira, që të mos e lërë veten pa u shfaqur te ata shpirtra që nuk mund të ndriçohen vetëm me anën e fjalës së Tij dhe njëkohësisht, që të mos kenë ç’të thonë ata që mbeten deri në fund armiq të fjalës së Tij. Lejon që ne të vdesim, duke dëshmuar se në këtë mënyrë shuhet epoka e ndjekësve të Tij dhe përgatitet nga drejtësia hyjnore prishja e tyre e shpejtë”.
Dhe duke u lutur, u nis drejt vendit të vdekjes. Si arriti atje, uli kryet para xhelatit, pa frikë e turbullim, ashtu siç dinë të vdesin heronjtë e krishterë, që morën përsipër kryqin e Zotit.
Foto: Jorgo Kobuzi, 'Radio Ngjallja'
Komente
