Është artisti Ermal Meta që ka shënuar fillimin e 40 aktiviteteve letrare të Sallonit të Librit në Torino, ku Shqipëria është vend mysafir i edicionit të 35-të të këtij panairi.
I ftuar protagonist, muzikanti, ka rrëfyer pranë stendës shqiptare historinë e tij nga fëmijëria në Shqipëri, emigrimi në Itali në '94-ën, fitorja e Sanremos në vitin 2018 me këngën "Non mi avete fatto niente" ("Nuk më keni bërë asgjë") tek debutimi i tij si shkrimtar me romanin "Nesër e përgjithmonë".
"Është një ftesë që më bën krenar" është shprehur kantautori nga Fieri.
Pas një prezantimi të veprës së Kadaresë në Panair, mediat italiane kanë përcjellë tregimin e artistit të njohur për vendin e tij, që i dedikon edhe romanin e parë.
"Jam shumë i lumtur që Salloni i Librit në Torino, zgjodhi që në këtë edicion ti dedikojë këtë hapësirë të veçantë Shqipërisë, që për italianët duket ende një vend kaq i afërt por edhe i largët. E gjitha kjo edhe për shkak të asaj që shkruhet në medie. Shumë nga miqtë e mi e kanë vizituar dhe në kthim më kanë thënë: nuk mendonim se ishte kaq e bukur, e mendonim ndryshe! Përmes historive që do të rrëfehen në Panair këto ditë, publiku i Sallonit do të zbulojë se Shqipëria është një vend ku ushqehen shumë ëndrra", është shprehur ai.
E ngritur në Pavijonin 1, stenda zyrtare e vendit tonë prezantohet në formën e një shkëmbi të hapur, të inspiruar nga qyteti i gurtë i Ismail Kadaresë ("Kronikë në gurë"). Takimi me Metën në Sallën e Artë, lidhet edhe me romanin dedikuar Shqipërisë, siç përcjell "Corriere della Sera".
"Atje kam lindur. Kam mësuar të flas e të eci, kam ëndërruar për herë të parë. Kur nisa të shkruaj ndjeva thirrjen e atdheut që nuk mund ta injoroja. Por nuk kam dashur të rrëfej për Shqipërinë e sotme, por për atë të djeshmen, edhe për të provuar tu shpjegoj se si u krijua ai imazh që ende sot shumë të huaj kanë për vendin tim. Imazhi që lidhet me anijen e tejmbushur që zbarkoi në Bari një mëngjes të gushtit të vitit '91. Atë ditë që shqiptarët vendosën të ndezin dritën. Të gjithë shikonin detin, ndërsa për mua ishte shumë e rëndësishme të shikoja qiellin, që dukej plot dritë", thotë më tej.
Artisti rrëfeu më tej se pasioni për shkrimtarinë lindi në Itali.
"Por qysh në 13 vitet e para të jetës në Shqipëri kisha krijuar një vizion romantik për jetën dhe pyesja veten shpesh se çfarë do të bëhesha kur të rritesha. Nëse do ta takoja sot atë djalosh, do ti thosha diçka fare të thjeshtë: vazhdo të besosh në atë që beson dhe të mos besosh në atë që nuk beson", ka rrëfyer më tej.