Kreshnik Spahiu

Opinion

Kreshnik Spahiu: Historia e ministrit që ujiste lulet artificiale në zyrën e tij

20 Shtator, 15:33| Përditesimi: 20 Shtator, 15:52

  • Share

Ishte një mëngjes i nxehtë korriku dhe së bashku me një zyrtar të huaj USAID-it, duhej të ishim në orën 08:00 në zyrën e një ministri, në kuadër të një projekti për transparencën në qeverisje. Sekretarja e ministrit një bionde rreth 1.80 e gjatë na priti te dera e ministrisë dhe na shoqëroi direkt në zyrën e shefit, pa kaluar fare nëpër kontrollin me detektorë.

Zyra ishte rreth 20 metra e gjatë dhe, në njërin cep të saj, ministri mbante një rosak plastik me ujë dhe po vadiste lulet. Çuditërisht, ai ishte me çorape të bardha dhe pa këpucë, duke shijuar lirshëm parketin e zyrës. Ndonëse i veshi këpucët, era me djersë e çorapeve mbeti në ajër.

Për mirësjellje, diplomati iu afrua, i dha dorën dhe nisi ta komplimentonte për lulet e bukura. Papritur, u ndal dhe e pyeti: “Zoti Ministër, pse i ujisni lulet plastike?” Ministri nuk e mbajti veten, u skuq nga turpi dhe, për të dalë nga situata, i ulëriti sekretares: “Pse mi keni zëvendësuar lulet e diellit natyrale me lule artificiale?!”

Kjo ngjarje më erdhi në mendje dje, kur pashë në Kuvend e kolegve të ministrit që ujiste lule plastike, sapo në monitor u shfaq ministrja më e re e qeverisë – “Diella”, për të cilën Edi Rama pretendon: Diella është një asistente qeveritare me Inteligjencë Artificiale (AI), që funksionon si “ministre virtuale”. Shqipëria është vendi i parë në botë që i ka dhënë një AI-je një rol zyrtar “ministror”, çka përbën një inovacion unik në nivel global.

Në fakt, “Ministria Diella” i arriti rezultatet e para shumë shpejt. Brenda një jave, ajo përmbushi dy “objektiva” alla shqiptarçe:

Pushtoi faqet e para të mediave ndërkombëtare Peshkoi opozitën dhe e nxori nga binarët, duke shkaktuar përplasje në Kuvend dhe duke i hequr asaj mundësinë për një debat publik rreth programit të qeverisë “Rama 4”.

Në qershor, opozita premtoi një revolucion, por e anuloi me sa duket për shkak të sezonit të dasmave. Tani, sipas gjasave, ai është shtyrë pas festave të Krishtlindjes apo gjelit të detit.

Trishtues është kontrasti kur sheh inovacionin e inteligjencës artificiale, përballë ministrave që ujisin lule plastike me çorape të bardha nëpër zyra.

Ndoshta Fukuyama kishte të drejtë në librin e tij “Njeriu i fundit”, kur thoshte se fundi i njerëzimit mund të vijë ditën kur zhvillimi teknologjik të ecë më shpejt se zhvillimi njerëzor.

U shqetësova vërtet kur pashë një deputet të vraponte drejt monitorit, duke shtypur butonat me shpresën se do ta mbyllte inteligjencën “Diellës” – sikur të ishte thjesht një lule dielli artificiale. O Zot i madh na ruaj nga budallenjtë. Unë kam frikë që Shqipëria është ende në epokën e lule diellit artificial dhe jo Diellit dixhital

P.S. Në respekt të etikës gazetareske dhe politike, nuk po përmend emrin e ministrit të Partisë Demokratike, por ngjarja është e vërtetë, e përjetuar personalisht dhe e dëshmuar nga pjesëmarrës të tjerë në atë takim.

S.B/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?