Politikë
Kosova & Rajoni

Kreshnik Spahiu për Report Tv: Kosova dhe Shqipëria duhet të protestojnë bashkë për lirimin e 4 krerëve të UÇK-së!

8 Gusht, 13:43| Përditesimi: 8 Gusht, 16:28

  • Share

Juristi Kreshnik Spahiu e quan të vonuar protestën e mbajtur dje (7 gusht) në Prishtinë në mbështetje të 4 ish-liderëve të UÇK-së në Kosovë, (mes tyre edhe ish-presidenti Hashim Thaçi), që akuzohen dhe po gjykohen nga Tribunali i Hagës.

Ai apeloi publikisht për një organizim të një proteste edhe më të fuqishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut nga faktori shqiptar dhe dërgimin e një mesazhi dhe presioni për drejtësi nga Gjykata e Hagës dhe lirimin e tyre, të bazuar në prova e fakte dhe jo në një proces të padrejtë dhe antiligjor si deri tani.

Deklaratat Spahiu i bëri sot në Report Tv, në një intervistë me gazetarin Nertil Agalliu.

Ai i cilësoi një fabrikim akuzat dhe një inskenim nga i njëjti prokuror special amerikan Jack Smith, që hetoi edhe presidentin amerikan Donald Trump. Madje theksoi se këto akuza dhe arrestime u bënë pikërisht kur ish-presidenti Hashim Thaçi po fluturonte në SHBA për të firmosur marrëveshjen me Serbinë, e cila do njihte Kosovën.

“Burgosja e Thaçit dhe të tjerëve ishte fabrikim politik nga Jack Smith, i njëjti prokuror special që hetoi dhe ngriti akuza ndaj presidentit Donald Trump. Dhe kjo ndodhi pikërisht kur Thaçi u ngrit me avion për në SHBA, në Shtëpinë e Bardhë, ku Serbia do bënte njohjen reciproke të Kosovës dhe do hidhte firmën. U bë inskenim ndaj tyre. Akuzat ndaj Thaçit dhe Trump u bënë nga i njëjti prokuror special. Kosova ka të burgosur politik, Shqipëria ka të burgosur politik, por i ka ordinerë. Masa e sigurimit të arrestit dhe marrja e provave është e padrejtë, e paligjshme”, tha Spahiu.

Ai bën thirrje për një protestë të njëkohshme dhe një mesazh të fortë ndaj Hagës, që procesi të jetë i drejtë, duke sugjeruar tubime të unifikuara nga faktori shqiptar.

“Kjo protestë ishte e vonuar dhe nëpërmjet jush i bëj thirrje të gjithëve për protestë në Hagë dhe Tiranë, Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptar në Maqedoni, që të protestojnë. Të ketë protestë edhe në Hagë, të unifikohen në qëndrim. Të kërkohet drejtësi e vërtetë, të bëhet prresion për një gjykim me fakte dhe prova”, theksoi juristi.

Në protestën e djeshme në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë, veteranë dhe mbështetës të UÇK-së, që bënë thirrje për lirimin e ish-liderëve të arrestuar që po gjykohen nga Haga. I pranishëm ishte edhe kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili kërkoi bashkimin e faktorit shqiptar dhe lirimin sa më parë të ish-krerëve të UÇK-së.

Reagim për këtë protestë pati edhe kryeministri Edi Rama, i cili vuri në dukje pasivitetin e Kuvendit të Kosovës në mosvotimin e një rezolute në mbështetje të Thaçit dhe të tjerëve. Ai apeloi që kjo të bëhej sa më parë dhe deklaroi gjithashtu se këtë rezolutë ishte i gatshëm ta votonte edhe në Parlamentin e Shqipërisë.

Ora 14:27
Spahiu: Punësimi demokratëve në administratë, më i moralshëm se pranimi mandateve nga deputetët e PD!

1754653120_kreshnikspahiu.jpg

Juristi Kreshnik Spahiu ndau komentin e tij edhe për strategjinë e kryeministrit Edi Rama që po punëson në administratë përfaqësues të PD-së dhe opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit.

Ai e cilësoi një strategji nga kryeministri për të përçarë edhe më shumë opozitën, por nga ana tjetër theksoi se punësimi i demokratëve në administratë është më i moralshëm sesa pranimi i mandateve nga deputetët e PD-së.

“Të drejtën e marrëveshjeve e kanë vetëm liderët e partive të mëdha, kreu i opzoitës apo i mazhorancës dhe kjo s’është e drejtë. Unë mendoj se punësimi i demokratëve në administratë është më i moralshëm sesa pranimi i mandateve nga deputetët e PD-së. Edhe kryetari i PD-së së Vlorës nuk mund të presë 36 vite në opozitë, sa të vijë PD në pushtet. Që ka strategji nga PS që po i punëson ata, ka, sepse po rekruton në administratë të gjithë njerëzit me influencë të PD-së, me elektorat e vota, duke u ofruar punë dhe duke ngjallur xhelozi apo nxitur përplasje brenda PD-së. Sepse dihet se do trajtohet si i shitur te qeveria Rama që të nesërmen e deklarimit të aleancës me të. Por duket se është strategji, por mendoj se është e dështuar”, tha Spahiu.

Juristi shpjegoi për Report Tv se kjo ishte një strategji e menduar nga Rama për të krijuar fraksione të tjera në PD drejt zgjedhjeve të ardhshme dhe dominimin e plotë.

“PS ka strategji të krijojë një opozitë brenda vetes. Shihet qartë loja që ka zgjedhur Rama, ku opozita po rrudhet, ka një regjim, njëllojë si në kohën e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, rripa transmisioni quheshin këto, lejoheshin zërat kritikë. Strategji e qartë për ta rrudhur opozitën. Plani është të ketë përballë një opozitë sa më të copëtuar dhe disa opozita, deri edhe fraksionet në PD, siç ndodhi edhe më 11 maj. Parashikoj se do të krijohen parti të reja në zgjedhjet lokale të pjesshme, por edhe më tepër në 2029. Në këtë mënyrë PS dominon, i fiton zgjedhjet me sistem, në tavolinë, pa e bërë fushatën”, u shpreh ai.

Në fund ndau mendimin se ky është një cikël i mbyllur për opozitën, e cila aktualisht kontrollohet nga regjimi i kryeministrit Rama.

“PS erdhi me dualitet në qeveri dhe tani e ka timonin e vetëm. Mungesa e pushtetit të bën që opozita të konsumohet dhe të humbasi rrugës. Mendoj se ky është një cikël i mbyllur. Edhe liderët e PD-së mendoj dhe jam i bindur se janë të kontrolluar nga regjimi i Edi Ramës”, përfundon Spahiu.

Ora 14:17
Spahiu ironizon PD-në për protesta nga diaspora: Do kthehen arbëreshët për hallet e Berishës!

1754653141_kreshnikspahiu.jpg

Teksa sesioni i ri parlamentar pritet të nisë në muajin shtator, me deputetët e zgjedhur më 11 maj, PD me në krye Sali Berishën ka paralajmëruar sezon protestash.

Juristi Kreshnik Spahiu e quan një tragjikomedi dhe groteske thirrjen që kryetari i selisë blu i bëri shqiptarëve apo diasporës për të protestuar për vjedhjen e votave, duke ngritur pyetjen pse prej disa muajsh opozita nuk proteston por bën pushime.

“Unë mendoj se PD duhet të protestonte, ta bënte prej muajsh. Nuk është e drejtë të braktisësh elektoratin e djathtë, kur zgjedhjet u bënë në Pranverë dhe të nisësh protestat në Vjeshtë. Çfarë i pengonte? Nuk mbledh dot njerëz? Përpiqesh me muaj për të mbledhur 600 apo 6 mijë veta, kjo do të thotë se ose nuk të ndjek kush, ose nuk motivon! Nëse i bën thirrje diasporës për protestë dhe s’të vjen kush, atëherë kush është përgjegjës dhe kush është arsyeja”, tha juristi për Report Tv.

Madje ai e cilësoi qesharake këtë thirrje, duke ironizuar kreun e selisë blu që kërkonte të ngriheshin arbëreshët dhe të vinin të protestonin për hallet e tij në Shqipëri.

“Thirja e tyre më duket qesharake. Prisni të kthehen stënipërit e Skënderbeut apo arbëreshët për hallet e Sali berishës, apo shqiptarët në Austri e më gjerë për opozitën dhe PD-në. Kjo është përgjigja pse nuk kthehet Diaspora, madje as për qeverinë nuk kthehen. Nuk shikojnë shpresë me liderë të forcave politike që do sillnin një Shqipëri tjetër. Thirrja për të mobilizuar diasporën është tragjikomike. Diaspora s’mund të përdoret për interesat e Berishës”, nënvizoi Spahiu.

Ora 14:12
Spahiu: Ambasada takoi deputetët e rinj si mesazh që SHBA nuk heq nga lista e zezë liderët e vjetër!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më aleatë të kësaj PD-je që drejtohet nga liderët e vjetër me në krye Sali Berishën.

Madje edhe takimi që mbajti me deputetët e rinj të të gjitha subjekteve politike që do të jenë në parlamentin e ardhshëm, ishte mesazh i qartë se nuk i heq nga lista e zezë liderët e vjetër.

Kështu u shpreh për Report Tv juristi kreshnik Spahiu, i pyetur për takimin që selia diplomatike amerikane në Tiranë, zhvilloi me ligjvënësit e rinj të Kuvendit.

“SHBA-të kanë qenë aleatët kryesorë të PD-së dhe madje financuesit e saj. SHBA-të janë të qarta dhe konseguente. Mesazhi i ambasadës së SHBA me deputetët e rinj ishte i qartë. Takuan deputetë të rinj dhe jo të vjetër, jo me liderët e tyre, përmendën PD dhe PS, por jo Ramën dhe Berishën. SHBA mbështesin elitën e re politike dhe jo atë të vjetër, ndërsa  nuk heqin nga lista e zezë liderët e vjetër të politikës shqiptare”, tha juristi.

Ai vuri në dukje edhe spekulimet nga disa media, duke përfshirë emrat e Berishës dhe Ramës si pjesë të mesazhit amerikan, por që në të vërtetë nuk përmendej asnjë prej tyre.

“Mediat spekulojnë me mesazhin që kanë përcjellë, SHBA-të nuk përmendin as liderët e dy partive dhe as me emër Berishën apo Ramën. Nuk është rastësi, nuk ka rastësi për SHBA-të. Në asnjë vend nuk përmenden liderët, por thuhet se u takuan me deputetët e rinj të të gjitha partive. Inkurajuan deputetët e rinj, nuk dhanë mesazhe agresive. Mesazhi i SHBA i qartë, mbështetin deputetët e rinj. Di të lexoj mesazhin dhe nuk di të spekuloj, ishte që inkurajoj deputetët e rinj të të gjitha partive, ishte mesazh i drejtë dhe nuk përmendej asnjë nga liderët e vjetër dhe nuk shoh asnjë mesazh tjetër të SHBA-ve apo ndryshim të qëndrimit të tyre”, përfundoi Spahiu argumentin e tij.

Ora 13:53
Spahiu: Kurrë s’e kam kuptuar urrejten që kanë aktivistët e Vetëvendosjes, për UÇK-në dhe SHBA-të!

Kreshnik Spahiu shprehet se nuk e ka kuptuar kurrë urrejtjen që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka ndaj ish-liderëve të UÇK-së, përfshi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe ndaj SHBA-ve.

Ai shprehet se ndryshe nga e kaluara kur i akuzonte për korrupsion, tani bëhet fjalë për një çështje kombëtare ku kërkohet unifikim dhe për më tepër për një proces të padrejtë ndaj tyre, pasi janë burgosur në mënyrë të paligjshme.

“Ka një lëvizje pasive nga Lëvizja Vetëvendosje për liderët e UÇK. Akuzat në Hagë nuk janë për korrupsion, ka ndryshim nga akuzat që bën Vetëvendosja ndaj tyre për korrupsion, sepse ata janë për tjetër gjë. Janë për çështje kombëtare, si ish-luftëtarë të UÇK-së. S’e kam kuptuar kurrë urrejtjen e madhe të Vetëvendosjes ndaj liderëve të UÇK dhe SHBA-ve, që kishin të njëjtin qëllim, së bashku me NATO-n, për të çliruar Kosovën”, u shpreh juristi për Repot Tv.

Madje ai shpjegon edhe në terma juridikë se nëse ata janë të korruptuar, gjykimi nuk i takon Hagës, por organeve gjyqësore shqiptare, duke vënë në pah paradoksin e madh në qëndrimet politike të Vetëvendosjes.

“Nëse kanë qenë të korrupotuar nuk duhet t’i gjykojë Haga apo Gjykata Speciale me selinë atje në Kosovë dhe që padrejtësisht i mban të burgosur. Duhet t’i gjykojnë gjykatat shqiptare”, u shpreh Spahiu.

A.Q/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?