Opinion

Kreshnik Spahiu: RIVIERA shqiptare, tokë e bekuar nga Perëndia, që po kallet nga ligësia....

2 Gusht 2021, 16:09| Përditesimi: 2 Gusht 2021, 16:32

  • Share

Në mes të plazhit çdo 5 minuta shfaqet ndonjë fshatar me gomar dhe dy kosha fruta:

Fiqtë 13.000 lekë/kg

Qershitë 8.000 lekë/kg. .... etj etj

Ndokush mund të thotë: Ai fshatari është i varfër dhe mban familjen me atë koshin me fiq.

Dakort! Dakort, por kjo logjikë e njerëzve të çmendur ka rrënjosur një mentalitet spekulues dhe shkatërrues për shoqërinë shqiptare dhe po rrënon turizmin shqiptar çdo ditë për këto arsye:

- Këta fshatarë me gomar nuk paguajnë as qira dyqani dhe as taksa apo tatime dhe sërish kanë çmime 10- fish të larta duke çuar në faliment ata mijëra fshatar të tjerë që kanë dyqane fruta-perimesh dhe detyrohem të paguajnë qira dhe taksa duke pasur një kosto më të lartë.

- Këta fshatarë me gomar, në shumicën e tyre janë mashtrues ordiner sepse nuk kanë fruta bio nga ferma e tyre, por i kanë blerë tek maunet me shumicë që vijnë nga Maqedonia

- Këta fshatarë me gomar, janë selektivë dhe largojnë turistët. Ata ndryshojnë çmimin sipas surratit dhe origjines së turistit. Ata ja  shesin kosovarëve me 12 euro/kg, polakëve me 10 euro/kg, maqedonasve me 9 euro/kg e kështu me rradhë.

- Këta fshatarë me gomar i shesin fruta- perimet më shtrenjtë se në Itali, Francë, Spanjë, Amerike dhe në injorancën e tyre mendojnë që ata turista që kanë lek nuk marrin vesh nga ushqimet apo nga cilësia e tyre. Harrojnë që turisti elitar ka shëtitur gjithë botën dhe bën me lehtësi dallimin e çmimit apo cilësisë.

- Këta fshatarët me gomar janë dhe totalish të pisët dhe jo higjenik sepse i shesin jashtë çdo standarti, të ruajtjes së temperaturave. Ata e shesin kg e fiqëve 12 euro po nuk blejnë një mini-ftohës apo larës 20 euro për ta ruajtur dhe tregtuar me standat mallin i cili mund të helmoj edhe qentë e plazhit e jo më turistët.

- Këta fshatarët me gomar cënojnë dhe imazhin e turizmit kur shfaqen në bregun e hoteleve me 5 yje duke uluritur “fiq, rush, banane” dhe duke ecur me gomarin e fshatit mbi të vilin janë mbledhur 2000 miza të zeza kali.

Për këto arsye mos ju duket çudi që turistët e juaj apo shqiptar, nuk shkelin dy herë në bregdetin shqiptar duke mos përsëritur gabimin e parë.

Dhe problemi nuk është vetëm tek fshatarët që kanë çmimet më të shtrenjta në botë pavarësisht se nuk paguajnë qira apo taksa, por tek çdo operator që lidhet me turizmin:

- tek taksisti që po të pa nga Kosova të merr 50 euro,

- tek lavazhisti makinës që të merr 20 euro po ishte nga Tetova,

- tek kamarieri që të rri me turi sikur po i kërkon lek borxh,

- tek pronari restorantit që nëse nuk porosit 3 shishe verë të thotë tavolina është e rezervuar,

- tek pronari hotelit që nëse paguan dikush më shumë se ty, mund të ngelësh në recepsion duke të thene: Na është prish kompjuteri dhe nuk na ka ardh rezervimi yt,

- tek pronarët injorant të Bareve që në ora 7 të mëngjesit nuk të lejojne të shijosh valët e detit, por ngrejnë muziken me tallava në kup të qiellit,

- tek pronarët e zhezlloneve që janë me pistoleta në brez dhe gjuanë gjithë vajzat klientë në çadrat e tyre.

- tek ndërtuesit që pushtojnë hapësirat dhe rrafshojnë pemët në bregdet.

Me pak fjalē nuk po e krahasoj dot as me Afrikën se s'kemi shans ti afrohemi traditave turistike të Egjiptit, Tunizisë, Marokut, Afrikës Jugut etj.

Thjesht kemi ngel në nivelin e turizmit me gomar, të cilin ende si shoqëri me injorancën tonë nuk e kuptojmë që po e rrënojmë çdo vit.

Ahhh më falni se harrova djegien e koshave të plehrave që digjen në flak çdo 100 metra në bregdet, aq sa kur fluturon me avion të duket jo sikur fluturon në Rivierë, por në një tokë e djegur dhe mbuluar në tym.

Mbani hundën përpara se avioni të hap dyert...

Po zbresim në tokën e bekuar që na ka falur Perëndia, që po kallet nga ligësia.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?