Greqi- Një 39-vjeçar shqiptar, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti për tentativë të trefishtë vrasjeje dy vite më parë, është vetëdorëzuar pranë autoriteteve në Kretë të Greqisë dhe është arrestuar pasditen e djeshme (16 mars).
Rreth orës 18:00, fillimisht në Komisariat është paraqitur avokati i 39-vjeçarit dhe pas pak ka mbërritur dhe është vetëdorëzuar vetë shqiptari, emri i të cilit nuk u publikua.
Ditët e fundit, avokati Spyros Dimitriou, kishte kontaktuar sigurimin për dorëzimin e klientit të tij. Pas ngjarjes së përgjakshme, 39-vjeçari është arratisur drejt Shqipërisë, ku ka qëndruar për një kohë të gjatë.
Ngjarja ka ndodhur më 16 dhjetor 2023 në Gazi të Kretës, ku viktima kanë qenë tre banorë vendas që po argëtoheshin në një lokal nate në zonë. Ndaj të arrestuarit, i cili tashmë ndodhet përballë drejtësisë, autoritetet kishin lëshuar një urdhër ndalimi.
Një grup prej gjashtë a shtatë burrash nga Kreta po argëtoheshin në Gazi pasi njëri prej tyre do të martohej në ditët në vijim dhe po mbante festën e beqarisë me miqtë. Grupi ka kaluar nëpër lokale të ndryshme nate dhe rreth orës 03:00 kanë shkuar në një tjetër.
Në orën 6:00 dolën dhe shkuan për të ngrënë në një piceri. Menjëherë pas kësaj, teksa disa njerëz po hanin, një prej tyre bërtiti teksa pranë po kalonte një xhip. Dy persona zbritën nga mjeti dhe një prej tyre goditi me shuplakë një nga kundërshtarët. Gjakrat u nxehën teksa personi i dytë ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tyre. për pasojë një 28-vjeçar dhe dy vëllezër kanë mbetur të plagosur, të gjithë nga grupi i Kretës, informon 'Protothema'.
Policia e Atikës ndoqi hetimet dhe nga verifikimet rezultoi se autori ishte një 39-vjeçar shqiptar i thirrur me nofkë "Nardi". Ai rezultoi se ishte një nga anëtarët kryesorë të një prej gjashtë organizatave kriminale të zbërthyera nga Nëndrejtoria e Sigurimit të Athinës, në kuadër të operacionit të madh policor me 50 të arrestuar dhe 187 identifikime.
Bëhet fjalë për grupe që hapnin shtëpi dhe ferma bari, trafikonin drogë dhe merreshin me aktivitete kriminale, deri te kontrolli i sigurisë së lokaleve të natës. Një prej tyre ishte dhe 39-vjeçari, i cili gjithashtu kishte siguruar mbrojtje për lokalet e natës në Gazi.
Komente
