Kreu i Njësisë Antikorrupsion për Report Tv: Do publikojmë skemën e manipulimit me pronat, kryebashkiakë janë kapur me shkelje! 21 raste denoncuam në SPAK

13 Maj 2022, 13:57| Përditesimi: 13 Maj 2022, 17:11

  • Share

Kreu i Njësisë Antikorrupsion, Gjergj Prebibaj ka dhënë intervistë për Report Tv duke folur për shkeljet në Hipoteka, mungesën e faqeve pasi janë grisur dhe paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama për kryebashkiakët, të cilët do të kalojnë në sitën e SPAK. 

Prebibaj tha se institucioni me më shumë shkelje është hipoteka dhe zbuloi se Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja do të bëjë publike skemën e manipulimit me pronat.

"Për numrin më të lartë të ankesave renditet Agjensia Shtetërore e Kadastrës. Për të vijnë më shumë ankesa për veprime dhe mosveprime. Probleme ka në çdo ASHK. Kemi probleme që në pamje të parë pjesa e vonesave duket proceduriale, por ndërkohë është një indikator i drejtpërdrejtë që çon në korrupsion. Një pjesë e praktikave trajtohen brenda ditës dhe një pjesë tjetër kërkon edhe muaj jashtë afatit. Për raste konkrete, nuk mund të komunikoj për dosje në hetim. Shumë shpejt do të ketë dalje publike nga ministri i drejtësisë për disa raste me kallëzime penale, masa administrative etj në disa institucione. Kryesisht janë të përqendruara tek ASHK por jo vetëm", tha Prebibaj.

Për skandalin në Kadastrën e Durrësit, ku vetëm 15 % e dosjeve janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave kanë rezultuar me faqe që mungojnë, Prabibaj shpjegoi se situatë e ngjashme është edhe në drejtori të tjera.

"Problemet me ASHK janë të shtrira në kohë. Çështja e përgjegjësisë menaxheriale është se nuk janë evidentuar dhe në këtë formë bëhet e vështirë koha se kur është grisur regjistri. Pra nuk kemi një procesverbal ose udhëzim apo urdhër nga drejtoria e përgjithshme për verifikimin e të gjithë regjistrave. Të paktën në një rast që do bëhet publik kemi konstatuar grisjen e regjistrit", tha Prebibaj.

Për paralajmërimin e Ramës se njësia Antikorrupsion do të dorëzojë shumë shpejt kallëzime penale në SPAK për kryetarë bashkie, Gjergj Prebibaj u shpreh se nuk mund të flasë me emra për shkak të sekretit hetimor. Ndër të tjera shtoi se 21 raste të zyrtarëve që kanë kryer shkelje janë çuar në SPAK.

"Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit bashkëpunon me njësitë e pushtetit vendor, mbledh informacion, heton dhe verifikon raste. Ne kemi kërkuar informacione jo vetëm me veprimtarinë e bashkive por edhe institucioneve të tjera nga të gjitha bashkitë e vendit. Sa i përket deklaratave të kryeministrit, nuk mund të shprehem.  Bashkëpunimi jonë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme është përcaktuar dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave. Kemi referuar në total 21 persona me kallëzime penale dhe në dijeninë tonë, të gjitha këto raste janë regjistruar. Për vijimin e mëtejshme të hetimeve nuk mund të shprehem", tha", tha Prebibaj.

Për aksesin te bluzat e bardha, kreu i Antikorrupsionit u shpreh se do të kenë koordinator pranë çdo spitali rajonal.

"Rrjeti Kombëtar i Koordinatorit kundër korrupsionit e shtrin funksionin e saj në 44 institucione në nivel qendror dhe në disa drejtori rajonale. Në total 78 institucione. Me autorizim ose indicie direkte mund të shtrihet dhe pranë institucioneve të tjera. Për bluzat e bardha, është parashikuar që do të kemi koordinator pranë çdo spitali rajonal", përfundoi Prebibaj.

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ermal: 13/05/2022 15:34

    paska dal kreu antikorrupsionit direkt nga ojf qendra e klasave te biznesit vl me katapulte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?