Ministrja e Arsimit Besa Shahini paralajmëroi në interpelancën e zhvilluar sot në Kuvend me kryetarin e partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi se edhe viti i ri shkollor që do të nisë në shtator do të jetë sfidues dhe një pjesë e mësimit do të zhvillohet online për shkak të pandemisë. "Të vijojë me mësimin online, duhet të jemi gati për një vit sfidues që nuk do të na lejojë të kthehemi në shkolla si më parë, po marrim të gjitha masat që të jemi gati për vitin e ri shkollor" tha ajo.
Debatin për maturën shtetërore, Shahini e cilësoi edhe një herë si të nxitur politikisht. "Provimi i maturës ishte më i lehtë sesa vjet, debati u nxit politikisht". Roshi e pyeti ministren se përse patenta për leje drejtimi për makinë nuk mësohet në gjimnaz, por Shahini tha se "Pse të bëhen në kurrikulat e shkollës, kemi institucione të tjera. Në shkollë bëhet edukimi rrugor".
Më pas debati u zhvendos te librat e shkollës, ku Roshi kritikoi ministren, pasi sipas tij shumë figura historike, si Mit'hat Frashëri nuk janë në vendin e duhur në librat e historisë. Ai tha se sot në Shqipëri një shkollë mban emrin e Vasil Shantos, që sipas tij nuk ka asnjë kontribut në arsim dhe ishte thjeshtë një pijetar dhe bixhozxhi. "Vasil Shanto ka një emër shkolle, kush është kontributi i tij për arsimin? Zero, një pijetar dhe një bixhozxhi. Nuk ka asnjë emër shkolle me emrin e Mit'hat Frashërit, që themeloi Normalen e Elbasanit. Fëmijët po vijojnë që të mësojnë ende luftën e klasave. Ende studiohet romani i dobët i Dritëro Agollit, 'Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo"".
Por Shahini tha se figura e Mit'hat Frashërit është trajtuar dhe nuk është lënë anash në librat e historisë. "Kjo nuk qëndron, figura e Mit'hat Frashërit është trajtuar. Nuk është lënë anash si figurë". Roshi kishte edhe një përgjigje për debatin pas shkrimit të Auron Tares se shkrimtarët e njohur shqiptarë Koliqi dhe Camaj ishin agjentë. "Kjo nuk ua ul vlerën e veprave të tyre dhe nëse kanë bashkëpunuar për të rrëzuar regjimin".
Gjithashtu Roshi kërkoi ndalimin e transmetimit të disa filmave shqiptarë. "Nuk kanë cilësi dhe vlerë" tha ai. Ministrja e Arsimit Besa Shahini në fjalën e saj kërkoi që në tekstet mësimore të përfshihet dhe tregohet ajo që ka ndodhur në luftën e Kosovës. "Nuk e trajtojmë betejën për liri në Kosovë. Rezistenca paqësore ka qenë unike. Ka kaluar i gjithë sistemi arsimor ilegale, kemi mbajt mësime në bodrume. Pastaj u nis rezistenca e armatosur. Kemi 1.2 mln fëmijë që kanë lindur pas 1995 që nuk e dinë këtë gjë. Duhet të adresohen" përfundoi Shahini.
Lajmi kryesor:
Opozita bojkoton Kuvendin, por 2 deputetë s'binden/ Murrizi: S'do të votojmë Zgjedhoren! Balla: Hapje jo të plotë të listave
//ReportTv.al