Trupa e gjyqtarëve të GJK me ambasadorin Silvio Gonzato

Kronikë

Kreu i delegacionit të BE takohet me gjyqtarët e GJK, Gonzato: Do vijojmë të mbështesim reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese

6 Mars, 19:28| Përditesimi: 6 Mars, 19:34

  • Share

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ka zhvilluar një takim zyrtar me kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Silvio Gonzato.

Duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike, Ambasadori Gonzato shprehu vlerësimet e tij pozitive për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se BE do të vijojë që të mbështes GJK dhe reformën në drejtësi.

“Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese në ruajtjen e pavarësisë dhe eficiencës së saj. Hapja e negociatave për Shqipërinë që ka nisur me kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, është tregues se sa i rëndësishëm është roli i drejtësisë efektive dhe respektimi i të drejtave themelore në këtë fazë të re për Shqipërinë. Në këtë proces të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Gjykata Kushtetuese ka rol thelbësor, pasi garanton balancimin e pushteteve, verifikon respektimin e shtetit të së drejtës dhe jep drejtësi për qytetarët”, tha ai. 

Gjatë takimit, kryetarja Holta Zaçaj ndau me Ambasadorin disa prej arritjeve më të spikatura të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe, si marrja e kryesisë së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, duke e konsideruar këtë jo vetëm si një vlerësim të gjykatës sonë nga simotrat e saj evropiane, por edhe si një angazhim të shtetit shqiptar për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Shtimi i ankimeve kushtetuese individuale është tregues i rritjes së besimit të qytetarëve te kjo Gjykatë, sikundër edhe i rritjes së ndërgjegjësimit dhe kulturës juridike. Si gjykatë e të drejtave të njeriut, dhënia e drejtësisë kërkon respektimin e garancive procedurale për mbrojtjen e të drejtave themelore kushtetuese. Respektimi i këtyre garancive i jep kredibilitet drejtësisë dhe institucioneve të saj. Gjykata synon të japë mesazhin për qytetarët se ata nuk janë një palë më e dobët se sa shteti dhe se barazia përpara ligjit mbetet themeli i një drejtësie të drejtë”', tha Zaçaj.

Trupa e gjyqtarëve u ndal gjithashtu edhe në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese për një gjykatë transparente dhe të qytetarëve, për të qenë e aksesueshme dhe funksionale në dhënien e drejtësisë kushtetuese për të gjithë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?