Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Biznesi në Shqipëri u godit nga 'stuhi të rënda'! Yuri Kim: Thelbësore heqja e ndikimit kriminal në ekonomi

17 Nëntor 2022, 18:00| Përditesimi: 17 Nëntor 2022, 20:51

  • Share

Gjatë mbledhjes së Dhomës Amerikane të Tregtisë, kreu i institucionit, Enio Jaço dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, mbajtën fjalën e tyre ku folën mbi klimën e biznesit në vendin tonë. 
Jaço u përqendrua në sfidat me të cilat ishte përballur biznesi në Shqipëri, duke theksuar inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, ndërkohë që ambasadorja, Yuri Kim deklaroi se reformat në Shqipëri po funksiononin duke sjellë në vend gjithmonë e më shumë investitorë amerikanë. 

“Biznesi u godit nga stuhi të rënda. Nga post-pandemia te energjia dhe një nga inflacionet më të larta në 15 vite. E kombinuar me ekonomi të brishtë lokale, emigrim jashtëzakonisht i madh dhe ulje e konsumit të forcës punëtore. Kur dhomat e tjera janë ulur në numër, ne kemi numrin më të lartë të anëtarëve. Kjo na bën më të fortë perballë sfidave”-tha Jaço.

Teksa foli gjatë mbledhjes së përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Jaço zbuloi se në javët në vijim do të publikohej indeksi i biznesit në vend, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit public dhe privat në kuadër të anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Për disa të tjerë progresi ka qenë i papërfillshëm. Në javët dhe në muajt në vijim do të publikojmë edhe indeksin e biznesit. Shqipëria ka hyrë në një moment delikat në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në  që varet drejtpërdrejt nga realizimi i reformave. Institucionet përgjegjëse janë ato të administrates publike por reforma është e pamundur të ketë sukses pa përfshirjen e biznesit privat dhe shoqërise civile. Duhet të ketë bashkëpunim mes administrates publike dhe sektorit privat.  Përfitimi është shumë i qartë, hyrja sa më shpejt në Bashkimin Europian”- tha Jaço.

Në mbledhjen e sotme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, pritet që pas ceremonisë hapëse të votohet për zgjedhjen e zëvendës presidentit, anëtarit të Bordit dhe ndryshime në statutin e institucionit.

Ora 18:22
Ambasadorja, Yuri Kim: Diçka është duke ndodhur në Shqipëri, do të ketë investime amerikane kur gjykatat të jenë të pastra

Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ambasadorja amerikane, Yuri Kim tha se SHBA synonte të forconte bashkëpunimin me Shqipërinë në demokraci dhe gjithashtu në fushën e biznesit.

Ndërsa tha se bizneset amerikane po investonin më shumë se kurrë në vendin tonë, ambasadorja shtoi se ishte thelbësore heqja e ndikimit kriminal dhe politik në ekonomi, duke arsyetuar se kjo do të shërbente për krijimin e lidhjeve më të shumta të ekonomisë amerikane me atë shqiptare.

“Duam të forcojmë bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në demokraci dhe veçanërisht në fushën e biznesit. Ne e dimë që për të krijuar më shumë lidhje mes ekonomisë së SHBA dhe Shqipërisë duhet të kemi një mjedis biznesi të hapur, transparent dhe konkurrues. Dua të veçoj disa nga arritjet tona. Bizneset amerikane po investojnë në Shqipëri më shumë se kurrë më parë.

Eksportet drejt shteteve të Bashkuara u rritën me 36%. Në partneritet me bizneset amerikane, Shqipëria po bëhet udhëheqëse për energjinë. Ju i dini projektet që janë duke u konsultuar, siç është Skavica dhe shpërndarja e gazit natyror të lëngshëm. Po vijmë në një kohë që është tejet e rëndësishme ndërsa përballemi me sfida të reja që janë edhe sfida të vjetra. Të gjithë i kemi parë lajmet që prej 24 shkurtit , kur Rusia pushtoi Ukrainën pa asnjë arsye. Ne kemi parë ndikimin që ka sjellë mbi ekonominë europiane dhe sektorin e energjisë që është shumë i varur nga gazi natyror. Projekti i gazit të lëngshëm natyror në Vlorë mund të sjellë rreth 5 miliardë metër kub gaz në vit. Reformat në Shqipëri po funksionojnë, Është thelbësore heqja e ndikimit kriminal apo politik në ekonomi”- u shpreh mes të tjerash ambasadorja Yuri Kim.

Ambasadorja u shpreh se duke u bazuar në përvojën e saj në vende të tjera, ndjente se diçka po ndodhte në Shqipëri. Ajo shkoi më tej duke thënë se do të kishte investime amerikane në Shqipëiri kur gjykatat të ishin të pastra.

“Ka aq shumë talent dhe mundësi që nuk është prekur ende këtu. Diçka është duke ndodhur. Në vendet e tjera ku kam shërbyer, mund të ndjesh kur diçka po ndodhte. Mendoj që tanimë për shkak të ndikimit në ekonomitë tona dhe që ka buruar nga ajo që po bëjnë rusët, ka pak shkurajim.

Po ju them që në bazë të përvojës time, diçka po ndodh në ajër në Shqipëri. Këtu ka mundësi. Nëse nuk do e ndjenit këtu, nuk do të ishit këtu. Të jemi seriozë për identifikimin e pengesave gjatë ardhjes së investimeve amerikane për të lehtësuar. Kur gjykatat të jenë të pastra, do kemi investime amerikane në Shqipëri. Kur investitorët të kuptojnë që rregullat të zbatohen njësoj për të gjithë"-tha Kim.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Era: 18/11/2022 04:22

    Po mi shoqe. Uleni cik krimin ne ekonomi. Por ju lutemi, ngrijeni cik ne politike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?