Bashkim Dedja, njeriu më i lartë në kupolën e drejtësisë shqiptare, rrezikon të mos e kalojë Vettingun. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese rezulton me probleme në justifikimin e pasurisë së tij, edhe pse DSIK dhe KLD kanë deklaruar se ai plotëson kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësimit profesional.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi këtë të premte seancën dëgjimore për Bashkim Dedën, por gjyqtari kushtetues e la karrigen bosh, dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Maksim Haxhia. KPK ka hetuar pasurinë e tij, dhe 3 apartamente të cilat përdor Bashkim Dedja janë me burime të dyshimta e të pajustifikuara.
Prona e parë e dyshimtë është një apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katror dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro. Dedaj kishte deklaruar se 120 mijë euro i kishte marrë kredi për 20 vjet, ndërsa 35 mijë euro të tjera i kishte kursime ndër vite të tijat dhe bashkëshortes. 25 mijë eurot e tjera Bashkim Dedja kishte deklaruar se ja kishte marrë hua vëllait dhe kunatit.
Por, KPK ka verifikuar se në datën e huamarrjes nga kunati deklaruar në aktin noterial, kunati nuk ka qenë fare në Shqipëri. Më pas Dedja ka ndryshuar deklarim duke thënë se 10 mijë euro i kishte marrë nga babai i kunatit, por KPK ka verifikuar paaftësinë paguese të kunatit për të dhuruar para.
Sa i takon 15 mijë eurove të tjera që gjyqtari Kushtetues deklaron se i ka marrë hua nga vëllai, KPK ka verifikuar se i vëllai që jeton në Greqi prej vitesh nuk ka aftësi paguese, pasi në kohën kur pretendohet t’i ketë dhënë hua 15 mijë euro vëllait gjyqtar, vetë ka blerë një shtëpi 45 mijë euro me kredi.
Por kjo nuk është banesa e vetme problematike. Në vitin 2003 Dedaj ka deklaruar blerjen e një tjetër banese në Tiranë, ku zotëronte gjysmën e saj, ndërsa më pas ka deklaruar se është pronar i saj 100 %, pa treguar burimin e të ardhurave. Ndërkohë, dyshime për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka ngjallur dhe një banesë në Golem, ku Dedaj ka deklaruar se e ka në përdorim, por është pronë e vëllait tjetër që jeton në Dibër.
Por KPK ka verifikuar se kontrata e energjisë elektrike është paguar vetëm nga Bashkim Dedja nga dita e parë e deri më sot, duke ngjallur dyshime se kjo pronë mund të jetë e vetë gjykatësit, dhe jo e vëllait të tij që jeton në Dibër.
Maks Haxhia, avokati i gjyqtarit e ka një shpjegim:
“Vëllai i tij jeton në fshatin e largët Luzni të Dibrës e nuk kishte mundësi të vinte muaj për muaj në Golem për të paguar dritat, ndaj këtë shërbim e ka kryer i vëllai, ne këtë e bëjmë edhe për komshinjtë”.
Maks Haxhia, avokat mbrojtës i Bashkim Dedjas
Po KPK thotë se vëllai Latif Dedja që jeton në Dibër nuk ka fuqi blerëse. Ndryshe pretendon avokati i gjyqtarit kushtetues.
“Vëllai i Bashkimit, Latif Dedja prej vitesh ka kryer aktivitet në pemtari, blegtori e bujqësi me të ardhura disa fish më të larta se vlera e apartamentit”.
Maks Haxhia, avokat
Komisioni do të japë vendim për Bashkim Deden në 13 qershor, në orën 9:30. Dedja është gjyqtar që prej vitit 1993, dhe drejton Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2012.
Besnik Dizdari i fundit i Kushtetueses në Vetting
Ndërkohë që pritet vendimi i KPK për Bashkim Dedjan, pasuria e të cilit rezulton me pikëpyetje, më herët nga Gjykata Kushtetuese u shkarkuan për mosjustifikim të pasurive, anëtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, ndërsa ka dhënë dorëheqje Besnik Imeraj përpara nisjes së procesit. Ndërsa i fundit që ka mbetur pa kaluar në "filtra" është Besnik Dizdari.
E vetmja që e kaloi me sukses Vettingun, duke justifikuar pasuritë si dhe mori 'Ok'-in nga KPK për aftësitë profesionale, ishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit për shkak të vakancës, por kjo nuk e ka penguar KPK-në të vijojë me Vettingun në radhët më të larta të gjyqësorit. Funksionimi i Kushtetues është i paralizuar prej një kohe të gjatë, pasi aktualisht ka vetëm dy anëtarë, Vitore Tushën dhe Besnik Dizdarin.
Plerat po i trazojnë dhe është qelbur vendi
Përgjigju