Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Paris, në Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, ku u mikprit nga homologu i tij Christophe Straudo.
Gjatë takimit Metani dhe Straudo vlerësuan praktikën e shkëmbimit të eksperiencave ndër vite mes dy shërbimeve të inspektimit të Francës dhe Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin, si pjesë e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ).
Po ashtu, Metani u taku edhe me prokurorin e përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë, Remy Heitz, gjyqtaren Valérie Delnaud, që drejton kabinetin e Ministrit të Drejtësisë dhe drejtoren e Shkollës franceze të magjistraturës znj.Nathalie Roret.
Heitz i cili e njohu kreun e ILD-së me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar në Francë, edhe në rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vendimmarrjen në procedimin disiplinor, në cilësinë e tij si kryetar i këtij Këshilli për prokurorët, e më tej për çështje të deontologjisë, në kuadër të funksionit të tij si zëvendës kryetar i bordit të Shkollës franceze të Magjistraturës.
Ndërsa Delnaud, që drejton kabinetin e Ministrit të Drejtësisë, vuri dukje për sfidat e ngjashme të sistemit të drejtësisë në Francë dhe Shqipëri, si dhe eksperiencën franceze, që fokusohet tek procesi para-disiplinor, pra parandalimi, para sanksionimit disiplinor të magjistratëve.
Në funksion të kësaj qasje, ministria franceze e Drejtësisë ka ngritur Kolegjin e Deontologjisë, që përbëhet nga personalitete jo vetëm të drejtësisë, nën drejtimin e një veterani të sistemit, magjistrati François Feltz, ish drejtues i Inspektoratit francez të drejtësisë, me të cilin u ndal në çështje të etikës e deontologjisë së magjistratëve.
Drejtorja Roret e njohu Metanin me projektin e afërm të bashkëpunimit me Shkollën shqiptare të Magjistraturës.